Ka përfunduar pa një marrëveshje takimi i përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel, në prani të ndërmjetësuesve europianë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak.
Kujtojmë që më herët dy përfaqësuesit e BE-së takuan veçmas, fillimisht kryeministrin e Kosovës dhe pastaj kreun e shtetit të Serbisë.
Në përfundim të takimit, në një deklaratë për mediat, Borrel tha se palët kishin rëndë dakord që nuk është më e nevojshme të ketë diskutime për planin franko-gjerman. “Ne do ta publikojmë propozimin në faqen tonë”, tha zyrtari europian.
Menjëherë pas takimit ka folur edhe presidenti serb, Vuçiç.
“Një takim i vështirë dhe besoj se do të ketë të tjera takime në periudhat e ardhshme. Me sa kam kuptuar, më 18 Mars do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, (shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep) Borrell do të vizitojë rajonin”, tha Vuçiç.
Ky ishte takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiç dhe në tryezë kishin propozimin franko-gjerman. Në Bruksel ndodhej edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ndonëse nuk është bërë publik propozimi, kanë dalë disa versione të ndryshme në media, por ajo që është pranuar edhe nga ndërmjetësit si dhe përfaqësuesit e dy shteteve është se në të nuk ka pikë të veçantë kur përmendet se obligohen shtetet të njohin njëra-tjetrën. Gjithashtu një pikë tjetër është ajo e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara, rrjedhimisht edhe e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.