Ndërsa më parë shërbimet kanë kryesuar listën e bizneseve që hapeshin në të gjithë vendin, tashmë duket se ky trend po ndryshon. Nga të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të siguruara nga TV SCAN, vihet re se interes të lartë për të bërë biznes ka sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe riparimit të automjeteve dhe motoçikletave.
Kështu në 6 mujorin e parë të vitit, ky sektor kryeson listën e bizneseve të reja me 2094 të tilla, i ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1253 subjekte të regjistruara rishtazi, dhe më tej renditen aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 580 biznese të reja. Ndër vendet e fundit renditet industria nxjerrëse; furnizimi me ujë dhe aktivitetet e trajtimit e menaxhimit të mbetjeve, energjia elektrike, gazi, avulli, dhe furnizimi me ajër të kondicionuar.
Sa i takon bizneseve që janë mbyllur gjatë kësaj periudhe, sektorët janë pothuajse të njëjtë, ndërsa vihet re se ka pasur një numër të konsiderueshëm çregjistrimesh në aktivitetet e shërbimit, në industrinë përpunuese si dhe në informacion dhe komunikacion. Në gjysmën e parë të vitit u regjistruan në total 6926 subjekte dhe u çregjistruan 2388 të tjera, duke bërë që numri neto i bizneseve të reja të jetë 4538.
Elisabeta Dosku / SCAN