Një Brexit pa marrëveshje, thënë ndryshe ”no deal”, një divorc traumatik me Bashkimin Europian, nuk është tabu për asnjë nga kandidatët konservatorë për zëvendësimin e kryeminstres, Theresa May.
Ata që e kërkojnë një gjë të tillë janë favoriti i Brexit, Boris Johnson dhe i moderuari për këtë çështje, Jeremy Hunt, të cilët, sipas medias kanë alarmuar botën e biznesit në mbretëri.
Si Johnson, ashtu edhe Hunt flasin për një ”no deal” si një arsye ekstreme vendimmarrjeje. ”Jam gati për një ‘no deal’ edhe pse pa dëshirë nëse në fillim të korrikut nuk do të krijohen hapësira për të rinegociuar marrëveshjen e divorcit me BE-në”, thotë Johnson.
Por, këto fjalë janë kritikuar si paralajmëruese nga përfaqësuesit e organizatave të biznesit.
Ndërkohë, mbështetësit kryesorë të dy pretendentëve provuan sot të sfumojnë deklaratat e Johnsonit dhe Huntit. Liam Fox, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe mbështetës i zjarrtë i Hunt, thotë i bindur se një marrëveshje do të ishte edhe në favor të Komisionit të ri Europian.
Matt Hancock, ministër i Shëndetësisë, ish-mbështetës i qëndrimit të vendit në BE, por tani në krah të Johnsonit, thotë se është në kërkim të një marrëveshjeje që do të favorizonte më shumë kërkesat e Londrës.