Korrupsioni është përkeqësuar për bizneset shqiptare gjatë vitit të kaluar. Barometri i Biznesit për Ballkanin raporton shifrën më të lartë të sipërmarrjeve shqiptare që shprehen se ryshfetet janë të zakonta, madje duke e ditur edhe shumën ekzakte që duhet të paguajnë.
Situata duket se është më problematike tek tatimet dhe doganat. 36% e bizneseve shprehen se kanë dhënë ryshfete për të shmangur pagesën e taksave apo për t’u shpëtuar penaliteteve. 33% deklarojnë të njëjtën gjë për importin në dogana. Fenomeni, sipas deklaratave që bëjnë vetë bizneset, është i shpeshtë edhe në fushën e inspektimeve, veçanërisht atë të inspektimeve mjedisore, pas aksionit të fundit të qeverisë në këtë fushë.
Ndërkohë, korrupsioni është më pak prezent tek gjyqësori, ku vetëm 17% e sipërmarrësve shprehen se kanë paguar nëpër gjykata. Kjo shifër është në rënie të ndjeshme, që prej nisjes së reformës në drejtësi.
Si zgjidhje për këtë problem, sipërmarrja kërkon digjitalizimin e shërbimeve publike, çka do të linte më pak hapësira për të kërkuar ryshfete. Ndërsa për të denoncuar rastet, media shihet si një nga partnerët më të mirë, që mund të përshpejtojë zgjidhjen e problemit.