Gazetari, Blendi Fevziu në një shkrim të titulluar “Ç’po ndodh me zgjedhjen e Presidentit” ka analizuar skenarët politikë që po ndjek mazhoranca për daljen e vendit nga kriza politike.
Sipas tij, “në Tiranën e politikës informale, flitet se ka një kompromis që Meta të shkojë në krye të shtetit, por kjo të ndodhë pas zgjedhjeve. Nëse është e vërtetë, kjo është mënyra më e mira për ta realizuar këtë, edhe pse, vetë loja ka shumë të panjohura”.
Nga Blendi Fevziu
I pyetur nëse Presidenti i ardhshëm i Republikës do të ishte produkt i një konsensusi të gjëra, pra i negocimit me opozitën apo do të zgjidhej nga koalicioni PS – LSI, i ftuar në studion e Opinion në Shtator, Edi Rama u përgjigj:
– Kjo nuk ka më asnjë diskutim, Presidenti i ri i takon koalicionit të mazhorancës dhe do të zgjidhet prej tij!
Kjo pyetje e përsëritur sërish në Janar gjatë një interviste në Tv Klan mori thuajse të njëjtën përgjigje: Presidenti i takon mazhorancës.
Në ditët në vijim, as Rama dhe as Meta nuk e mohuan faktin që Presidenti do t’i takonte kësaj mazhorance madje u fol edhe për një kompromis që ky të vinte nga LSI.
Që nga kjo situatë nuk ka ndodhur asgjë, por befas, PS, LSI dhe PDIU konsumuan në 2 ditë dy raundet e para për zgjedhjen e Presidentit dhe kanë fiksuar të tretin të enjten. Në dy raundet e para nuk u prezantua asnjë emër. Kjo duket absurde nga ana e procedurës. Madje këto parti së bashku i bëjnë votat për zgjedhjen e Presidentit.
I pyetur për këtë manovër politike, Meta u përgjigj se mazhoranca është duke pritur opozitën për një marrëveshje dhe një konsensus më të gjerë dhe se ai shpreson që kjo të ndodhë gjatë kësaj jave.
Në fakt zgjedhja e Presidentit nuk ka qenë asnjë moment shqetësim i PD. Kjo e fundit ka mohuar çdo zë se presidenti i ardhshëm mund të ishte objekt i një marrëveshje të mundshme dhe as mjet shkëmbimi për zgjedhjen e krizës. Megjithëse nga mazhoranca janë përmendur në takime me Ambasadorë emrat e 2 personazheve nga opozita që mund të merrnin konsensus, kjo ngjan më shumë një lloj tallavaje politike në kohën e krizës së krijuar nga ngërçi i zgjedhjeve. Pra të presësh PD që të japë konsensus për një gjë që as e ka kërkuar dhe as e kushtëzon dot, duket më shumë se absurde. Aq më tepër që vetë PS, nuk ka deklaruar që ka ndonjë ndryshim nga deklaratat e dikurshme të Ramës. Deklarata se Presidenti i takon mazhorancës mbetet. Ndërkohë vetë PD vështirë se do kthehet në parlament për të diskutuar për Presidentin. Pra, i gjithë qëndrimi ngjan i çuditshëm.
Por me datë 27 është votimi i 3–të. Pas tij mbeten edhe 2 të tjerë. Nëse mazhoranca zbaton afatet maksimale ligjore, me datën 11 Maj është afati i fundit. Dhe në këtë rast, mos prezantimi i një kandidati e çon vendin automatikisht në zgjedhje. Nëse zbaton afate më të afërta, atëherë i bie të shkojmë në zgjedhje të parakohshme diku në datën 11 Qershor. Pra një javë përpara zgjedhjeve të vendosura. Në këtë rast, kushtetuta nuk lë ekuivoke. PS dhe LSI mund të përfitojnë nga procedura e re. Ato mund të shpërfillin vendimin e sotëm të KQZ që nuk mori parasysh shtyrjen e regjistrimit të koalicioneve. Në situatën e re ato mund të riregjistrohen sërish si koalicion, mund të justifikohen se PD nuk hyri në zgjedhje dhe mund të shkojnë përpara. Edhe pse kjo nuk është rruga më e mirë, ajo është përdorur edhe më parë për të dalë nga ngërçi. Ka ndodhur në Kosovë, kur PDK e Hashim Thaçit rrëzoi vetveten dhe e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.
Në Tiranën e politikës informale, flitet se ka një kompromis që Meta të shkojë në krye të shtetit, por kjo të ndodhë pas zgjedhjeve. Nëse është e vërtetë, kjo është mënyra më e mira për ta realizuar këtë, edhe pse, vetë loja ka shumë të panjohura!
Gjithsesi, këto dy javë deri në zgjedhjet e Kavajës do të jenë javët deçizive të politikës shqiptare!