Gazetari Blendi Fevziu deklaroi mbrëmjen e sotme se kishte shpresuar se për shkak të pakënaqësisë për qeverisjen 8 vjeçare të kryeministrit Edi Rama, vota e protestës do të ishte e vlefshme dhe do ta rrëzonte atë.
I ftuar në “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Fevziu tha se kishte humbur shpresën për rotacion kur kishte mësuar se pjesëmarrja në zgjedhje nuk ishte më e lartë se ajo e 2017-ës.
“Ka qenë një rezultat që për arsyet e sondazheve na çonte aty këtu. Por pakënaqësia ndaj Ramës dhe një votë proteste do të ishte më e vlefshme. Kjo votë sipas meje ishte e pakapshme nga sondazhet. Kur pashë që pjesëmarrja nuk ishte më e lartë se e 2017-ës, shpresën për ndryshim dhe për rotacion e humba. Në vitet ‘90-të vullneti i zgjedhësve ka qenë i lirë, pas viteve 2000 ka një udhëzim që mbështetësit të votojnë më herët. Forcat politike i çuan herët mbështetësit për të votuar. Mendova se vota e protestës do të ishte më e fortë se vota për ta mbajtur në pushtet. Duhet dikush që ta rrëzojë. Kishte diçka të çuditshme në këto zgjedhje që të dyja palët ishin të bindura që fitonin”, tha Fevziu.
“Problemi që duhet të zgjidhë urgjentisht PD”
Fakti që PD nuk ka figura të forta në jug të vendit është një nga problemet që kjo parti duhet të zgjedhë urgjentisht sipas Blendi Fevziut.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Fevziu tha se është e papranueshme mungesa e personaliteteve të forta që vijnë nga jugu, ndërkohë që shtoi se PD ka krah ende veriun për shkak të lidershipit të Berishës.
“Sipas meje një nga problemet që duhet të zgjedhë urgjentisht PD çështja e personaliteteve në jug. Është shumë e rëndë dhe e papranueshme, mungesa e personaliteteve të forta që vijnë nga jugu. PD është parë si një parti e veriut. Në kupolën e PD sot nuk ka asnjë personalitet nga jugu. Kanë lënë një ngërç të madh. Në veri e mban ende lidershipi i Berishës. Unë insistoj që nëse PD do të rikuperohet duhet të identifikojë personalitete në jug dhe ti çojë në kupolë”, tha Basha.