Blerta Josifi, e mbijetuara e ngjarjes së rëndë së përpara më shumë se 4 muajve, ku nëna dhe motra e saj humbën jetën, ka folur pas ngjarjes, për “Shqipëria Live” në Top Channel.
Ajo tregon se e motra humbi jetën më 27 mars 2019, por ajo dhe e ëma nuk i treguan menjëherë të afërmve ose familjarëve sepse “mendonin se nuk do t’i kuptonin dhe do t’i fajësonin” për vdekjen e saj.
“Ne ishim shumë të vendosura dhe kishim një besim të palëkundur. Kemi besuar deri në fund se Anisa do na kthehej përsëri. Edhe pse duket çmenduri, ne besuam se Zoti do na e kthente.”
Më pas, Blerta tregon se “në muajin e fundit, në maj, vendosën të mos dilnin më për të blerë ushqime.”
“Më pas në qershor filluam agjërimin, si një lutje drejtuar Zotit”, vazhdon ajo. Thonim që ky agjërim të jetë i fuqishëm që Zoti të na dëgjojë.”
Ajo thotë se gjatë asaj kohe lexonin disa libra të krishterë, Biblën dhe “romane të tjera që mund të gjenin”.
“Unë u izolova e para, por nuk e bëra në mënyrë aq drastike sa Anisa (e motra). Gjërat ndodhën kështu dhe tani as vetë nuk di t’i shpjegoj. Kam pyetje plot që nuk di t’i shpjegoj tani.”
Blerta tregon se tashmë i është rikthyer normalitetit.
“Dal, jam me të afërmit e mi, kam filluar të bëj përsëri gjërat që bëja dikur dhe jam duke kërkuar për një punë.”