Opozita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka blerë kandidatët nga listat e tyre vijuese që të pranojnë mandatin e deputetit.
Por, Rama sot iu përgjigj Bashës dhe Kryemadhit nga Fieri.
“Po kur thonë këta që vijnë në parlament janë të Ramës, po unë ua vura në listat e deputetëve? Unë ia mbajta dorën Lulit, unë Lulin e mbajta për dore, por nuk i mbajta dorën. Ata të tjerët nuk janë të gjithë budallenj, u vjen mundësi të vijnë në parlament të marrin rrogë, pension. Pse do të rrijë pas Luanit. Mirë që nuk kanë ide në parlament, por kanë edhe Saliun dhe thanë po ikim. Keni parë ju që kandidati për kryeministër i Shqipërisë vjen me xhup me vezë në xhep dhe ai tjetri vjen edhe m’i hedh mua. Shumica këtu janë normalë jo si këta që po bëjnë revolucion aty jashtë. Pak e nga pak ata po treten rrugëve”, tha ai.
Gjithashtu, kryeministri Rama u shpreh se opozita proteston pasi ka hallin e drejtësisë së re.
“Kujt ti dorëzohemi? Atyre te kthesa? Që në kthesë, janë do të mbeten dhe nuk kanë për ta marrë dot nëse kohët nuk do të ndahen nga kush i ka marrë peng. Peng i ka marrë koka që nuk di ku i çon. Ne iu kujtohet shumë mirë. U lodh nëpër Shqipëri dhe gjithë verën fjeti gjumë. Ndërsa tani prapë nga e para, jo në çadër, por rrugëve. Kur duan të vijnë në Tiranë mbyllin bashkitë e Kamzës, Shkodrës, Kavajës dhe të tjerë. Vijnë edhe ata që u mbyllën lojërat e fatit se kushedi mund të na dalë fati rrugëve. Se po vijnë zgjedhjet, se do të vijnë në Fier, do të kandidojnë Luanin, me ata 100 veta atje? Çfarë do të thotë, se do e kthejmë Gjanicën sikur ishte? Duan të krijojnë gjithë alibinë se zgjedhjet janë kot, blihen dhe shiten.
Kanë edhe një hall tjetër, ajo e shkreta reforma në drejtësi, se po ngushtohet laku. Disa halle ata i kanë ua di tërë populli”, tha kreu i qeverisë.
Ai u premtoi qytetarëve se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e një pallati sporti, si dhe po shikohet mundësia për një stadium të ri.
“Do fillojmë punën për pallatin e sporti, ndërkohë kemi folur dhe për stadiumin e ri”, tha Rama.