Aktualitet Bllokohet porti i Vlorës. Trageti i vetëm, me defekt prej dy javësh

Bllokohet porti i Vlorës. Trageti i vetëm, me defekt prej dy javësh

Prej dy javësh udhëtimet në portin e Vlorës drejt brigjeve të Italisë janë pezualluar. Kjo për shkak të një defekti të shkaktuar në tragetin e linjës.

Drejtori i portit të Vlorës e ka cilësuar këtë një situatë të papreçedentë, që ka sjellë dëme të mëdha si në port, ashtu edhe për bizneset dhe qytetarët.

“Kjo është situatë e papreçedentë, si për qytetarët dhe për biznesin. Kjo situatë e krijuar ka sjellë dëme për Vlorën si qytet, ashtu dhe si importues detar, sepse të gjithë operatorët kanë ikur nga Vlora dhe operojnë në linja të tjera”, ka deklaruar drejtori Admir Malaj.

Për këtë situatë ka reaguar dhe kreu i Dhomës së Tregtisë në Vlorë, Arben Breshanaj, i cili ka theksuar se kjo mungesë i sjell dëme të mëdha biznesit.

Ne, është shprehur Breshanaj, kemi diskutuar si biznes që me mundësitë tona të blejmë vetë një traget dhe të jemi të pavaruar nga një person i cili e ka bërë monopol.

“Kjo është një shenjë shumë e keqe për bizneset e qytetit tonë, por dhe më gjerë, sepse kjo është porta hyrëse e lidhjes së bizneseve dhe qytetarëve tanë. Të mblidhemi së bashku dhe të blejmë një traget tonin, sepse kështu nuk vazhdohet. Nuk është hera e parë që kjo ndodh”, ka thënë Breshanaj.

Porti i Vlorës pa traget do të thotë që turistët, qytetarët dhe biznesi të operojnë me qytetin e Durrësit.