Vjedhja e milionave eurove në aeroportin e Rinasit ka bllokuar transportin jashtë të vlerave monetare të bankave.
Burime zyrtare nga Shoqata e Bankave, thanë për televizionin Klan se aktualisht i gjithë sistemi është në ngërç dhe asnjë nga bankat nuk ka arritur që të bëjë transport fizik të parave. Shkaku kryesor është refuzimi i “Austrian Airlines” për të bërë transferta të “Cash”-it, e cila ishte edhe kompania e vetme ajrore që kryente këtë shërbim në Shqipëri prej 2 dekadash.
Grabitja e Rinasit ka trembur linjat e tjera që të ofrojnë të njëjtin shërbim. Nga ana e tyre bankat u kanë kërkuar autoriteteve shtetërore marrjen e masave shtesë të sigurisë për të parandaluar të përsëriten ngjarje si ajo e të martës të javës së shkoi.
Vetë ministrja Belinda Balluku i ka kërkuar presidentit të kompanisë së Singaporit Real Fortress që të marrë masa shtesë, ndërsa pritet të vijë përgjigja e bordit të firmës koncesionare të Rinasit.
Në momentin që nuk do të ketë transferta të parave bankat mund të nisin marrjen e masave për refuzimin e hapjes së depozitave në valutë, kryesisht në euro, si dhe mund të shkaktohen probleme në transferimet e parave nga një individ në Shqipëri drejt një shteti tjetër e anasjelltas.