Sipas blogut europian “Bruksel2”, Bashkimi Europian do të ketë një vendimmarrje të ndarë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Bruksel2” shpreh se gjasat janë që drita jeshile të ndizet vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe jo për Shqipërinë.
Blogu hedh dritë mbi të fshehtat e takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian me homologët e Ballkanit në Helsinki. Diplomatët europianë kanë treguar për këtë blog, se po shkohet drejt ndarjes së vendimmarrjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Diplomatët kanë shtjelluar, se nuk do të ketë më trajtim të përbashkët (në paketë) për hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet.
“Do të privilegjojmë Maqedoninë e Veriut nëse nuk mund t’i hapim negociatat me të dyja vendet”, është shprehur një diplomat europian për B2.
Ndërkohë, që ky qëndrim është konfirmuar edhe nga burimet finlandeze dhe franceze. Këto të fundit janë shprehur, se nëse do të ketë një vend që do të hapë negociatat në Tetor, ai do jetë Shkupi./Abc News