Që prej 9 marsit kur u konfirmuan dy rastet e para me Covid-19 në Shqipëri janë infektuar 60 mjekë dhe infermierë. 2/3 e tyre fatmirësisht janë shëruar.
I madh ka qenë numri i të prekurve nga Covid-19 edhe në radhët e uniformave blu.
“Nga forcat e policisë rezultojnë 14 raste pozitive, ndërsa në strukturën akomoduese të Ministrisë së Mbrojtjes, strukturë shtetërore, janë 4 persona.”
Virusi ka prekur edhe 21 fëmijë, gjysma prej tyre të shëruar dhe për fat të mirë të gjithë janë trajtuar dhe monitoruar në banesa. Asnjë prej tyre nuk ka qenë i shtruar në spital.
Gratë shtatzëna gjithashtu janë prekur. Nga 4 të infektuara, 2 janë shëruar. Edhe këto janë trajtuar në shtëpi.
Drejtoresha e ISHP, Albana Fico, tha se nuk ka pasur asnjë rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të pacientëve që janë trajtuar në shtëpi,
Lidhur me mundësinë e riinfektimit me Covid19 të pacientëve të negativizuar, ajo u shpreh: “Edhe nëse ka raste të tilla që janë nën investigim se kanë të bëjnë me imunitetin e pacientit nuk mund të themi në mënyrë solide se rastet e riinfeksionit janë raste të lidhura veçanërisht me rimarrjen e këtij virusi. Ka më shumë në këtë situatë sesa thjesht rikontaktimi i virusit”.