Luçiano Boçi hedh akuza për Bashkinë e Elbasanit se përdor kostot e inceneratorit të këtij qyteti për blerjen e votave. Boci kërkon që prokuroria të nisë hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe të vendosë para përgjegjësisë zinxhirin qeveritar e titullarët më të lartë vendor në Elbasan.
Boçi e cilëson si aferë korruptive që vijon të marrë paratë e taksapaguesve shqiptarë por është jashtë funksioni. Sipas Luçiano Boçit, qytetarët paguajnë 25 mijë lekë por në incenerator nuk digjen plehra. “Një investigim i kryer së fundmi nxjerr në pah koston reale që paguajnë për ton qytetarët e Elbasanit. Kjo kosto është 52 mijë lekë. Ndërkohë Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak pretendojnë dhe mashtrojnë opinionin publik me një vendim, sipas të cilit qytetarët e Elbasanit paguajnë 25 mijë lekë. Por a e dini se në fakt kosto reale është vetëm 9 mijë lekë sepse në Incenerator, nuk digjet asnjë kilogram plehra. Pjesë tjetër merret dhe përdoret në mënyrë korruptive nga bashkia e përdoret dhe për blerje votash. Të rinisë edhe njëherë hetimi e të vihet para përgjegjësisë zinxhiri qeveritar dhe bashkiak. Qytetarët janë të revoltuar”, deklaroi ai. Po ashtu, zoti Boçi thotë ndër të tjera se Elbasani rrezikon katastrofë ekologjike nga mali me plehra që pretendon se i ka rrëmbyer qytetarëve 27 milionë euro.