Gjigantët Boeing dhe Porsche janë bashkuar për një projekt tepër të veçantë: një mjet fluturues urban me motor elektrik. Kompania amerikane e avionëve dhe ajo gjermane e makinave sportive deklaruan se po punojnë për të “eksploruar tregun e lëvizjes urbane në ajër”, përmes një mjeti që “mund të ngrihet dhe të ulet vertikalisht”.
Mjeti në fjalë, të cilin inxhinierët dhe projektuesit e dy kompanive duan të ndërtojnë, është praktikisht një makinë fluturuese me motor elektrik. Edhe pse nuk kishte detaje mbi shumën monetare apo burimet e tjera të cilat do të investoheshin nga të dy kompanitë, është publikuar vetëm një skicë e idesë se si do të jetë mjeti në fjalë. Deri tani, Boeing ka arritur të ndërtojë një prototip të kësaj makine fluturuese, por ajo vetëm mund të ngrihet vertikalisht në ajër, të qëndrojë pezull dhe të ulet sërish, pa mundur të kryejë lëvizje të tjera.
Porsche është pjesë e Volkswagen AG, prodhuesit më të madh të makinave në botë, që së fundmi ka shpallur synimin për të realizuar dhe hedhur në treg 22 milionë makina me motor elektrik brenda dhjetë viteve të ardhshme.