Aktivisti Gjergj Bojaxhi të martën deklaroi se shembja e Teatrit Kombëtar është një tragjedi për Tiranën dhe Shqipërinë.
I ftuar në emisionin “Në Fokus” në TVT, Bojaxhi tha se teatri është pjesë e memories së kryeqytetit dhe prishja e tij është shkatërrimi i kësaj memorie kolektive.
“Një memorie e cila nuk është vetëm artistike, por edhe politike pasi aty janë bërë gjyqe, ato të famshmit e komunizmit pas 44-ës ku me vendimin e atyre gjyqeve janë ekzekutuar shumë njerëz në Tiranë. Teatri nuk është thjeshtë nostalgjia e shkollës, pasi shkolla ka në çdo lagje të Tiranës, ndërsa ne kishim vetëm një Teatër Kombëtar. Ajo çka unë mendoj se është më e rrezikshme dhe më e tmerrshme është fakti se ne nuk kemi një proces, sipas të cilit, humbëm një teatër por fituam një proces transparent dhe një standard që të shërbejë për të ardhmen për të ditur se si ne të luftojmë, të mbrojmë dhe të japim ide për të ruajtur objektet e tjera që kanë rëndësi për shoqërinë tonë”, tha ai.
Ai bëri me dije se i gjithë procesi i teatrit është një proces i manipuluar, pasi ne jemi i vetmi vend në Europë që kërkojmë të bëhet një Teatër i ri Kombëtar pa konkurs.
“Ne duam të shkojmë në Bashkimin Europian pa pasur rregulla të qarta loje dhe standard, por që të kemi këto, së pari, na duhet një proces dhe një garë e hapur që arkitektë nga e gjithë bota mund të vijnë dhe të japin ide të ndryshme. Mund të kishte edhe arkitektë që mund të jepnin ide për të ruajtur godinën ekzistuese apo edhe fasadën e saj, ndërsa pjesa nga mbrapa, e cila ishte edhe më pak funksionale dhe që kishte më pak vlera historike mund të modernizohej për t’u bërë më bashkëkohore”, tha Bojaxhi.
Sipas tij, politika dhe pushteti lokal e kanë ekstremizuar debatin për teatrin, pro dhe kundër, pa krijuar mundësinë për një mendim alternativ.