Kriza politike dhe ecuria e zbatimit të reformave, do të sjellë të mërkurën në Tiranë një delegacion me deputetë të Parlamentit Europian.
Në axhendën e këtyre të fundit është parashikuar edhe një ndalesë në Maqedoni, ku do të shikohet ecuria e reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian. Delegacioni i këtij komisioni përbëhet nga 7 deputetë, i kryesuar nga Tunne Kelam.
Ata do të takohen me aktorët kryesorë të politikës shqiptare pikërisht të mërkurën, ndërsa të enjten, ditën kur opozita do të zhvillojë protestën e radhës para Kuvendit, europarlamentarët do të kenë dhe konferencën për mediat.
Kreu i delegacionit dhe Eurodeputeti i Partisë Popullore, Tune Kelam i ka kërkuar qeverisë dhe opozitës që të zgjidhin këtë situatë me anë të dialogut konstruktiv.
“Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare. Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv”.
Gjatë kësaj vizite do të diskutohet për rezolutat e PE mbi Ballkanin Perëndimor të miratuara në nëntor 2018, së bashku me zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoninë e Veriut.
Në Shqipëri, ata parashikohet të takojnë Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD Lulzim Basha. Pas Shqipërisë 7 eurodeputetët do të udhëtojë drejt Shkupit.
Delegacioni i PE përbëhet nga 7 eurodeputetë.
Tunne Kelam (Kryesues)
Cristian Preda
Knut Fleckenstein
Juan Fernando Lopez Aguilar
Bas Belder
Ilhan Kyuchyuk
Tamás Meszerics