Kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur në lidhje me hartën e re gjyqësore, për të cilën thotë se nuk do të ndryshojë.
Në një konferencë për shtyp nga selia e Kryeministrisë, Rama tha se avokatët mund të bojkotojnë sa të duan seancat, por kjo nuk është gjuha me të cilën mund të flitet me qeverinë e tij.
“Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Shumë e thjeshtë. Unë habitem që ka akoma individë dhe grupe individësh që besojnë se me qeverinë që unë drejtoj, mund të flitet me gjuhën e bojkoteve.
Ne këtu jemi. Kush ka diçka për të ndarë, e ka shumë të thjeshtë të na kërkojë, të flasim, të dëgjohemi. Por harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Të bojkotojnë sa të duan, nuk ndryshon”, theksoi kreu i qeverisë.
Harta e re gjyqësore parashikon në total 13 gjykata të shkallës së parë, dy gjykata administrative dhe shkrirjen e gjykatave të apelit në një të vetme. Avokatët i kërkojnë qeverisë të mos e miratojë këtë skemë.