Politika Kritikat ndaj Bullgarisë e BE-së, Rama: Nuk jemi Amerika, por dinjiteti i...

Kritikat ndaj Bullgarisë e BE-së, Rama: Nuk jemi Amerika, por dinjiteti i shqiptarëve nuk është më pak i rëndësishëm

Kryeministri Edi Rama tha se kritikat që ka bërë në drejtim të Bashkimit Europian dhe Bullgarisë, janë dëgjuar me respekt nga partnerët.

“Ne nuk jemi Amerika, Britania e Madhe apo Franca, por dinjiteti i shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk është më pak i rëndësishëm… Për sa më takon, kudo ku jam i pranishëm, askush nuk mund të mbajë qëndrime që bien ndesh interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo neglizhojnë sensin e barazisë, pa marrë përgjigjen e duhur”, tha Rama.

“Nuk kam bërë luftë, as me BE as me Bullgarinë. Kam thënë thjesht disa të vërteta të cilat, ju siguroj, janë dëgjuar me shumë respekt. Nëse nuk respekton veten, nuk të respekton tjetri. Shqipëria ka kaluar dekada e parespektuar fare, ose e respektuar formalisht. Kjo nuk ndodh më. Ne pyetemi, konsiderohemi, dëgjohemi, dhe natyrisht është kënaqësi shumë e posaçme të dëgjosh Presidentin e SHBA të flasë ashtu siç foli për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit”.