Sofyan Amrabat ishte një nga lojtarët më të dalluar të Marokut në Kupën e Botës teksa mesfushori që aktivizohet me Fiorentinën në Serie A ishte “truri” i skuadrës së trajnerit Walid Regragui në fushë.
Megjithatë, në gjysmëfinale, francezët dhe tekniku Didier Deschamps i kishin marrë mirë masat ndaj 26-vjeçarit, me Olivier Giroud që ishte udhëzuar ta ndiqte këmba-këmbës lojtarin e Marokut.
Këtë e zbulon edhe vetë Amrabat, i cili thekson se komunikoi me Giroud në fushë duke i kërkuar ta linte të qetë.
“Franca vendosi që qendërmbrojtësit tanë t’i linte të lirë. Sulmuesi i tyre, Giroud më ndiqte këmba-këmbës në fushë dhe në një moment i thashë të ndalej. Por, më tregoi se kishte udhëzim për të mos e lënë të qetë. Më vjen keq që nuk mundëm të bënim më shumë, por ishte e vështirë pasi pësuam një gol “idiot” në fillimin e lojës. Ata e patën më të lehtë sepse luanin me ndeshjen që ishte në rezultatin 1-0”, u shpreh Amrabat.
Amrabat ka marrë edhe komplimentet e presidentit francez Emmanuel Macron që u vizitoi pas ndeshjes.
“Ke qenë mesfushori më i mirë i këtij Botërori”, i tha Macron mesfushorit maroken pas ndeshjes, teksa ata që mendojnë si presidenti francez janë të shumtë.