Sport Messi-Mbappe, finalja e… “thuajse miqve”: Shokë te Psg, por nuk shkojnë mes...

Messi-Mbappe, finalja e… “thuajse miqve”: Shokë te Psg, por nuk shkojnë mes tyre

Mbappe dhe Messi festojnë një gol me Psg

Prej një viti e gjysmë janë shokë skuadre nën Kullën Eiffel. Messi është më i lidhur me Neymar, ndërsa me Mbappe ka pasur edhe momente tensioni. Të dielën do të diskutojnë trofeun e madh dhe atë të shënuesit më të mirë. Të dy janë me nga 5 gola.

Andrea Ramazzotti – Gazzetta dello Sport

“Pothuajse miq”, si titulli i filmit të njohur francez. Kylian Mbappe dhe Lionel Messi, kundërshtarë në finalen e së dielës në ‘Lusail Stadium’, janë shokë skuadre te PSG. Mes tyre tani nuk ka përplasje, por sezonin e shkuar dhe këtë aktual nuk kanë munguar fërkimet.

Faji është i rinovimit të kontratës nga francezi në momentin që ai ishte gati të ‘martohej’ me Real Madrid, por edhe lidhja që ‘Pleshti’ ka me Neymarin. Sepse braziliani dhe Mbappe kanë pasur jo pak momente tensioni, i fundit më 13 gusht, për një penallti.

Të dy kanë pasur momente nervozizmi në fushë, edhe përpara telekamerave. Mbappe kishte humbur një penallti dhe donte të gjuante edhe të dytën, por Neymar nuk ia la. Në atë moment pati edhe ndonjë shtyrje dhe të gjithë u habitën nga gjesti.

Që atëherë ‘ujë poshtë urës’ ka kaluar shumë. Emiri Al Thani, nëpërmjet presidentit Al-Khelaifi, u ka kërkuar tre yjeve të PSG-së që të mësonin të bashkëjetojnë. Në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Dhe në një intervistë të dhënë në tetor, numri 7 ka thënë: “Hierarkitë janë të qarta: pranoj të vrapoj kur Messi ecën, nuk kam probleme. Po flasim për Messin”.

Kjo është njohja e një lidershipi që argjentinasi do ta ketë të paktën deri në fund të sezonit, kur skadon kontrata dhe ai duhet të vendosë se çfarë do të bëjë. Me zgjatjen e kontratës nga Mbappe ishte parashikuar që francezi të kishte influencë në vendimet e rëndësishme.

Shumë mendojnë se trajneri Galtier është ‘bekuar’ nga Kylian, ashtu si dhe drejtori sportiv Luis Campos, me të cilin ka punuar te Monako. Messi ndërkohë është marrë nga Leonardo, i larguar për t’i bërë vend pikërisht Camposit.

Nga shkurti e andej Messi dhe Mbappe, bashkë me Neymarin, do të përpiqen të eliminojnë në 1/8-at e Championsit Bajernin. Nuk do jetë një shëtitje, sepse kampionët e Gjermanisë janë një pengesë e fortë për PSG-në.

Emiri kërkon trofeun e Championsit për të harruar zhgënjimet e mëdha. Dhe që të ndodhë kjo, ka nevojë që të tre yjet të shkëlqejnë bashkë, siç po ndodh në Botëror, ku Mbappe dhe Messi kanë shkuar në finale, kurse Neymar u ndal në çerekfinale.

Mbappe u shpall kampion në Rusi 4 vjet më parë, duke shënuar 4 gola. Pa mbushur 24 vjet, mund të fitojë Kupën e Dytë të Botës, një arritje e jashtëzakonshme. Jo rastësisht Pele në fazën finale të Botërorëve ka shënuar 8 gola. Edhe Messi luan finalen e dytë të një Kupe Bote, por ndryshe nga francezi, ai e ka humbur të parën në Brazil 2014 ndaj Gjermanisë.

Ka qenë në prag të largimit nga Argjentina disa herë, por pastaj fitoi Libertadores dhe u karikua. Skuadra e tij humbi në debutim me Arabinë Saudite, ndërsa krahasimi me Maradonën nuk e terrorizon më. Është mësuar tashmë dhe nëse fiton të dielën, do të jetë çdo gjë ndryshe.

Me gjithë botën që do t’i shohë, në ‘Lusail Stadium’ dy fenomenet e gjeneratave të ndryshme do të diskutojnë Kupën e Botës, por edhe trofeun e shënuesit më të mirë, atë të lojtarit të turneut dhe me shumë mundësi edhe ‘Best Fifa’. Sepse ‘Topin e Artë’ e fitoi Benzema.

‘Best Fifa Football Awards 2022’ jepet më 27 shkurt 2023 dhe votimi fillon më 12 janar. Botërori do të ketë një peshë të madhe. Messi e ka fituar ‘Best Fifa’ në 2019-ën, Mbappe asnjëherë. Ai i së dielës mund të jetë dueli i tyre i fundit në një skenë të madhe. Pastaj do luftojnë përkrah njëri-tjetrit për të pushtuar Europën me PSG-në. Si… thuajse miq