Nga Ylli Pata
Si një rrufe në qiell të hapur ishte lajmi i djeshëm i përhapur në media, ku paralajmërohej dorëheqja e Ilir Metës nga posti i presidentit.
Lajmi i bujshëm nuk ndalej me kaq, por jepte skenarin se Ilir Meta mund të lërë detyrën e kreut të shtetit para mbarimit të mandatit dhe të bëhet jo vetëm kryeministër, por edhe ministër i Brendshëm, pas 26 prillit të vitit të ardhshëm, pra pas zgjedhjeve parlamentare.
Ky lajm tronditi më së shumti vetë opozitën, që i ra si një “bombë”. Kjo pasi, ka më shumë se disa vite që PR i Partisë Demokratike po mundohet të krijojë një profil të Lulzim Bashës-kryeministër, me një mundim jo të vogël, dhe vjen një ditë që bie si bombë në opinion se këtë post do ta marrë Ilir Meta.
Madje jo vetëm, por me “paketë 2 plus 1”; pra voto PD e LSI-në dhe president bëhet Sali Berisha dhe kryeministër Ilir Meta.
Një manovër që natyrisht duhet parë se çfarë përfaqëson si një lëvizje propagande, por fakt është se opozita, madje edhe vetë LSI, u kap gafil në këtë çështje.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, një ditë më parë kësaj deklarate, deklaroi në Open në Top Channel, se Basha është kandidati zyrtar i opozitës për kryeministër.
Por përse atëherë Ilir Meta-kryeministër dhe ministër i Brendshëm u hodh në eter?
Ndoshta për të motivuar mbështetësit e presidentit, por edhe ish-presidentit që u promovua sërish si president, por çështja ka sjellë brenda opozitës një debat jo të ri; që qendra galvanizuese e saj nuk është 100% Lulzim Basha apo aleatët e tij, por Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Në vitin 2017, kjo dyshe sulmoi ashpër Bashën kur firmosi marrëveshjen me Edi Ramën, dhe një vit më parë u fol shumë se Berisha e Meta ndikuan më shumë që të digjen mandatet e të bojkotohen zgjedhjet.
Kjo atmosferë është nxehur edhe nga zërat brenda PD-së, si Genc Ruli, që i bëri thirrje Sali Berishës të bëjë mënjanë më në fund.
Por që Doktori as e vuri ujin në zjarr madje tha që do të jetë në “syrin e ciklonit” për betejë me Edi Ramën.
Po kush e ka betejën reale me Edi Ramën në opozitë? Lulzim Basha apo Ilir Meta?
Nëse e kanë shumë, njëri duhet të jetë gjenerali dhe të tjerët kolonelë.
Me lajmin e rrjedhur që Meta lë Presidencën për Qeverinë, kjo çështje pështjellohet edhe më shumë.
Mund të duket si lëvizje që kërkon të motivojë bazën më të fortë anti-Ramë në opozitë, që të krijojnë përshtypje se dy “ujqit e vjetër” janë në tavë, por se i prishin radhën Bashës, i cili me shumë kujdes po e krijon një fabul përbashkuese të një opozite unike.
Nëse Ilir Meta kërkon të bëhet kryeministër, duhet të marrë ose PD-në, ose LSI-në, që të bëhet zv.kryeministër, siç ka qenë në vitin 2009.
Por brenda dite, ashtu siç u tha në lajmin e lançuar nga qarqet pranë presidentit, çështja vetëm shton konfuzion.
Se ja e zëmë se u bënë zgjedhjet dhe fitoi opozita.
Më 26 prill nuk ka shans që Meta të bëhet kryeministër pasi jep dorëheqjen.
Sepse nuk janë certifikuar rezultatet. Por edhe sikur të certifikohen ato, do të duhet që presidenti i Republikës të thërrasë partitë që kanë shumicën për të dhënë mandatin e kryeministrit.
Nëse Meta ka dhënë dorëheqjen kush do t’ia japë mandatin Ilirit? Berisha që bëhet president?
Do të duhet të mblidhet Parlamenti që kërkon prapë dekret presidencial.
E nëse dorëhiqet Meta, për 45 ditë rolin e presidentit do ta luajë Gramoz Ruçi, si kreu i Kuvendit të shkuar.
Pak shumë konfuze kjo çështje, pasi i bie pak vakuum pushteti, por që Edi Rama të japë dorëheqjen duhet që presidenti të ketë mandatuar të riun.
Kjo zallamahi që u hodh dje si një silur politik, duket se do të jetë më shumë një bombë tymuese që do të trondisë opozitën.
Sigurisht e ka një objektiv, por që duhet parë në detaje.
Fakt është se të vetmit që janë dëmtuar nga kjo “kapsolle” politike, janë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi.
Ndoshta nuk janë “qorruar”, por që zhurma i ka shqetësuar, dhe jo pak.