Pjesë nga dialogu mes Borgesit dhe Sabatos
Orlando Barone është gazetar dhe shkrimtar argjentinas. Në fund të vitit 1974 Orlando Barone pati iniciativën për t’i bërë bashkë Jorge Luis Borges dhe Ernesto Sabato dhe me këtë rast ata shkëmbyen mjaft ide dhe mendime me njëri-tjetrin. Me regjistrimin e plotë të takimeve midis të dy shkrimtarëve, ai më vonë ndërtoi vëllimin “Dialogët”, prej nga është marrë edhe ky fragment. Në ato biseda të gjata dhe të kthjellta Borges dhe Sabato sqaruan përkimet e rralla dhe dallimet e shumta midis tyre, në lidhje me çështjet që përbënin punën e tyre letrare.
Sabato: Çfarë mendoni për Zotin, Borges?
Borges: (Solemnisht ironik) Është krijimi i madh i letërsisë fantastike! Atë që kanë imagjinuar Wells, Kafka ose Poe nuk është asgjë në krahasim me atë që ka imagjinuar teologjia. Ideja e një qenieje të përsosur, të gjithëfuqishme, të plotfuqishme është vërtet fantastike.
Sabato: Po, por mund të ishte një Zot jo i përsosur. Një Zot që të mos i trajtonte dot mirë punët, që të mos ishte në gjendje të parandalonte tërmetet. Ose një Zot që t’ia fuste gjumit dhe të kishte makthe apo çrregullime çmendurie: atëherë, do të kishte fatkeqësi, katastrofa…
Borges: Ose ne. (Të dy qeshin.) Nuk e di nëse ishte Bernard Shou ai që ka thënë: God is in the making, domethënë: “Zoti është duke u bërë”.
Sábato: Është paksa ideja e Strindbergut, ideja e një Zoti historik. Gjithsesi, gjërat e këqija nuk dëshmojnë mungesën e Zotit, madje as atë të një Zoti të përsosur. Ju, thjesht, lini të kuptohet se është më mirë të besosh te Budistët. Nëse një fëmijë vdes, në dukje një padrejtësi, ai paguan kështu fajin e një jete të mëparshme. Gjithashtu, është e mundur që ne të mos i kuptojmë planet hyjnore, (të cilat i përkasin një bote të pafund), përmes mentalitetit tonë të bërë për një univers të kufizuar.
Borges: Kjo përkon me kapitujt e fundit të librit të Jobit.
Sábato: Por më thuaj, Borges, nëse nuk beson në Zot, pse shkruan kaq shumë histori teologjike?
Borges: Unë besoj në teologji si letërsi fantastike. Është përsosmëria e zhanrit.
Sábato: Pra, duke supozuar që ju të ishit Bibliotekari i Madh Universal, ky bibliotekar që tërë jetën ëndërroi të ishte, Borges, Biblën do ta vinit në radhë të parë, apo jo?
Borges: Dhe mbi të gjitha një libër si Summa Teologjike. Është një vepër fantastike shumë më e lartë se ajo e Wells-it. (Qesh).
Përkthimi: Bajram Karabolli