Boris Johnson do të jetë Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe. Ish-kryebashkiaku i Londrës siguroi mbi 92 mijë vota nga rreth 160 mijë anëtarët e Partisë Konservatore, të cilët votuan me postë.
Pas shpalljes së rezultatit, Johnson vlerësoi rivalin Jeremy Hunt duke e cilësuar atë një burim idesh të shkëlqyera. Nuk i kurseu fjalët e mira as për kryeministren në largim Theresa May, duke e falenderuar për punën e bërë në krye të Ekzekutivit.
Johnson konsiderohej favorit që prej fillimit, por një numër eksponentësh të lartë të partisë kanë thënë se nuk do t’i shërbejnë atij.
Theresa May, drejtoi të martën mbledhjen e fundit të kabinetit. Ajo do t’i paraqesë zyrtarisht dorëheqjen Mbretëreshës pasditen e së mërkurës dhe menjëherë më pas kryeministri i ri do të marrë zyrtarisht detyrën.