Rendi botëror po shpërbëhet dhe europianët pyesin të shqetësuar: “Kush do i mbledhë copëzat?” Me këtë pyetje merret sivjet Konferenca e Sigurisë në Mynihut. Përgjigja nuk jep vetëm guxim.
Christian Trippe*
Konferenca e Sigurisë që zhvillohet në Mynih, është një nga më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë në botë, në konferencat e kësaj natyre. Në të takohen rreth 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish dhe 100 ministra, mes tyre kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov. Kur delegacionet do të vijnë ditën e enjte në kryeqytetin e landit të Bavarisë, atëherë ata do të gjejnë në dosjen me dokumenta të konferencës, raportin e ashtuquajtur “Raport i Sigurisë së Mynihut” (MSR). Ky raport flet në 100 faqe për temat dhe rëndësinë e tyre para këshillimeve për gjendjen në të cilën gjendet bota.
Dhe kjo siç dihet është shqetësuese. Kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger shkruan në raport: “Një fazë e re matje forcash është duke filluar midis SHBA, Kinës dhe Rusisë, paralelisht me vakumin e pushtetit të krijuar ng ajo që shihet si rendi ndërkombëtar liberal”.
SHBA dhe presidenti Donald Trump tregojnë pak interes për pakte ndërkombëtare, ato venë hapur në pikëpyetje institucione si NATO dhe Kombet e Bashkuara. Edhe më keq: SHBA me Trumpin duan që të mos luajnë më rol drejtues mbi botën e lirë. Në vend të kësaj, ata kanë nxjerrë në rend të ditës, “entuziazmin irritues për “burra të fortë””. Aleatët transtatlantikë duhet ende ta kapërdijnë kur Trump lëvdon udhëheqësit joliberalë, qoftë të Brazilit apo të Filipineve, thuhet në Raportin e Sigurisë.
“Por ka edhe dritë,” thotë Ischinger në një konferencë shtypi të mbajtur të hënën, lidhur me raportin e sigurisë. Si “sinjal jashtëzakonisht të shkëlqyeshëm,” sheh Ischinger për shembull që mbas irritimeve me Trumpin, “dyfishi apo trefishi i anëtarëve të kongresit amerikan që marrin pjesë kanë kërkuar të flasin, në krahasim me të kaluarën”. Shprehimisht ai përmendi praninë e Nancy Pelosit, zëdhënëses së Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë dhe senatorin repoblikan, Mitt Romney.
Rivalitete të reja
SHBA ka identifikuar “Kinën dhe Rusinë si sfiduesit më të rëndësishëm strategjik”, thuhet në raport. Rivaliteti i ri midis tre fuqive të mëdha shprehet në mënyra të ndryshme. Kështu për shembull aktualisht është ndezur konflikti midis Uashingtonit dhe Pekinit, kryesisht për çështjet tregtare dhe ekonomike. Rusia dhe Kina nga ana tjetër e shohin veten në aleancën e tyre të autokratëve, si kundërshtarë të bashkuar të perëndimit, por ata përgjojnë njëri tjetrin në konkurrencën gjeopolitike.
Midis Rusisë dhe SHBA nga ana tjetër, ekziston rivalitet kryesisht në politikën e armatimit. Edhe këtu raporti jep pak shpresë për ndonjë përmirësim të shpejtë. Pas daljes nga pakti INF për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi, edhe pjesë të tjera të kontrollit të armatimeve paraqiten keq. Kështu për shembull, duket si “pak e mundshme”, që Moska dhe Uashingtoni të kërkojnë të ashtuquajturën “Pakt të ri për START”, paktin për armët nukleare strategjike, i cili skadon më 2021. Dhe Europa, që nuk duket të përparojë në gjithë këto lojëra të planeve strategjike?
“Bashkimi Europian është i përgatitur keq”, për konkurrencën e re të të mëdhenjve; këtë e tregon jo vetëm debati për “autonomi strategjike” të kontinentit të vjetër. Aktualisht kurrkush nuk ka ndonjë “plan B” në sirtrar, me anë të së cilës Europa të emancipohej nga politika e sigurisë. “2019 nuk do të jetë më vit i fatit për Bashkimin Europian në kuptimin e ngushtë të fjalës,” thotë Ischinger në konferencën e shtypit të mbajtur të hënën, duke patur parasysh zgjedhjet europiane dhe krijimin e një komisioni të ri. BE duhet të tregojë se është e gatshme që ” përmes vetë-pohimit të luftojë për zbatimin e interesave të veta”.
Ku janë “rojet e rendit liberal”
Ndërkohë që rendi botëror po rrëshqet drejt “një interregnumi të ri”, mbrojtësit e vlerave liberale që kanë mbetur janë duke u munduar me ndershmëri, që të kapërcejnë këtë fazë të mungesës së sigurisë dhe stabilitetit, thuhet më tej në raport. Raporti thotë se “disa kandidatë nuk janë në gjendje të luajnë rolin e mbrojtësve të rendit liberal, megjithëse kanë vullnetin për ta bërë këtë. Të tjerët janë pak në gjendje, por nuk kanë vullnetin ose janë të paaftë për të nxjerrë në pah aftësitë e tyre”.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, 2018
Në raport diskutohet cilat janë hapësirat dhe potencialet e vendeve si Kanadaja apo Japonia. Një kapitull më vete merret me Britaninë e Madhe si një vend, që ka venë vulën për rendin liberal botëror dhe ka shumë për të ofruar në politikën e sigurisë, por është ekspozuar tani së bashku me partnerët në Brexitin. Edhe nëse në Londër, Paris dhe Berlin thuhet gjithnjë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi, është e qartë që tani “se procesi i Breksitit do të lerë plagë në të dyja anët e kanalit”.
Thirrje për “aleancë të multilateralistëve”
Kush do i mbledhë copëzat e shkëputura të rendit botëror? Duke patur parasysh Konferencën e sigurisë që mbahet në Mynih, kancelarja Angela Merkel tha në një mesazh të dhënë me video, se do të punojë për ruajtjen e institucioneve ndërkombëtare. Kjo është tani “po aq e rëndësishme sa në kohët e Luftës së Ftohtë”. Gjermania mbështet rendin liberal botëror. Ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Maas bëri para pak kohësh thirrje për krijimi e një “aleance globale të multilateralistëve”. Por sa e vështirë është ajo, që ta vësh në jetë e tregon bashkëpunimi me Francën, partnerin pa dyshim më të rëndësishëm të Gjermanisë në Europë.
Një sondazh i ri i Fondacionit Friedrich Ebert, tregon se 42 përqind e francezëve, por edhe 59 përqind e gjermanëve janë që vendi i tyre të qëndrojë të paktën neutral në rendin ndërkombëtar. Intervenimet ushtarake në konflikte, i refuzojnë për vendin e tyre më shumë gjermanë (65 përqind) se sa francezë (50 përqind). Kjo pasqyrë tregohet në proceset e ndryshme politike dhe kulturën strategjike në Berlin dhe Paris. “Kriza aktuale e partneritetit transatlantik është për Gjermaninë një sfidë më e madhe se sa për Francën, e cila ka ndjekur gjithnjë një afrim të pavarur të kësaj çështjeje,” thuhet në raport.
Se si do të zgjidhen këto dallime politikisht, duhet sqaruar shpejt midis Berlinit dhe Parisit. Por kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Macron, nuk do të kenë mundësi për këtë në Mynih. Kryetari i shtetit francez njoftoi pak ditë më parë se nuk do të marrë pjesë në konferencë, për shkak të vështirësive në detyrimet e politikës së brendshme.
*DW