Në Katar filloi sot Botërori më i diskutuar në histori. Një dilemë për shumë tifozë, veçanërisht në Gjermani: ta shohin apo ta bojkotojnë?
Pyetja e ditës: “Çfarë do të bësh me botërorin në Katar? Do ta ndezësh televizorin apo do ta injorosh? Dorëzim apo protestë? Një çështje kjo që përçan familjet, miqtë, kolegët. A duhet parë Botërori 2022, me gjithë polemikat e shumta përreth kampionatit? Apo nuk na e lejon morali? A ka vend morali këtu?
Kritika të rënda në stadiumet e Bundesligës
Në stadiumet gjermane, mendimi duket të jetë unanim: Kupa e Botës në Katar do të refuzohet, me pankarta dhe postera, kanë qenë tifozët vetë që kanë bërë thirrje për bojkotim në javët e fundit. Ata dënojnë vdekjet e punëtorëve migrantë dhe legjislacionin homofobik në vendin pritës. Me të drejtë.
Por Katari, për shumë kritikë, simbolizon edhe rrugën e rrezikshme që ndjek futbolli modern. Sheikët dhe pastrimin e imazhit nëpërmjet ngjarjeve sportive, investitorët e dyshimtë, korrupsionin dhe shitjen e frymës sportive – Katari është simbol për të gjitha këto. Të gjitha këto mund të refuzohen. Unë e kuptoj këtë.
Por që të injorosh thjesht futbollin, thua se nuk po ndodh ngjarja më e madhe sportive në botë? Edhe para Kupës së Botës 2018 në Rusi, ka pasur një zhurmë të madhe mediatike, por nuk ka pasur thirrje për bojkot. Forcat ajrore ruse hidhnin bomba në Siri dhe punëtorët mysafirë nga Koreja e Veriut shfrytëzoheshin sistematikisht për ndërtimin e stadiumeve. “Skllevërit e Shën Petërsburgut”, quheshin ata asokohe në media.
A nuk u shkel që atëherë një vijë e kuqe? Çfarë do të sillte tani një bojkotim televiziv? Këtë mund ta vendosë vet çdo bar, çdo kafene, çdo tifoz dhe shifrat e ulëta të audiencës e prekin edhe edhe Federatën Botërore të Futbollit (FIFA). Por nëse Gjermania dhe ndoshta Evropa Veriore sjellin shifra të ulëta, ato kompensohen nga rajone të tjera të Botës. FIFA ka kohë që po kërkon tregje të reja, dhe për këtë ajo nuk mund të fajësohet shumë.
Bota arabe e meriton një Botëror – po ku?
Botërori do të duhej të zhvillohej prej kohësh në një vend arab. FIFA-s i janë dashur mbi 90 vjet për ta arritur këtë. Kritikat për “Kupën e Botës Dimërore” dhe mungesën e traditës së futbollit në Katar janë eurocentrike. Rajoni e meriton një Botëror.
A duhej të ishte patjetër Katari? As unë nuk jam i lumtur me këtë zgjedhje. Por do ta ndez televizorin dhe do ta ndjek Botërorin. Dhe e di që tani, që do të jetë e dhimbshme. Gëzimi paraprak është shumë i ulët. Raportimet e para për “tifozë falsë” të blerë enkas për të bërë sikur festojnë në Doha më kanë lënë pa fjalë. Po aq të padurueshme do të jenë edhe mesazhet e mëtejshme për paqe që pritet të deklarojë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Por më kanë mbetur në mend kujtimet e fëmijërisë. Në vitin 1994, si djalosh, rrija ulur në një dhomë të errët përballë televizorit asokohe me tranzistorë. Kur nigerianët luanin aq bukur dhe braziliani Bebeto i festonte golat e tij duke tundur krahët sikur po përkundte një foshnjë.
Janë këto pamje që janë mbrujtur thellë në kujtesën time. Çdo tifoz ka historinë e vet, përjetime të tilla e bëjnë Botërorin të magjishëm. Dhe në fund ne ndezim televizorin, sepse jemi të dhënë pas lojës.
Duhet parë e duhet reflektuar
Këtë herë do të jetë një akt i veçantë balancimi: deri ku do të mbërrijë kampioni i Afrikës, Senegali, si do ta përdorë Messi shansin e tij të fundit, si do të luajë kombëtarja gjermane e trajnerit Hansi Flick? Të gjitha këto histori sportive ia vlen të tregohen, por në fakt unë jam shumë më i interesuar për atë që po ndodh jashtë fushës.
A do të dalin në dritë inskenimet e FIFA-s, e cila tashmë e ka cilësuar turneun “Kupën e Botës më të mirë të të gjitha kohërave”. A do të ketë një fond kompensimi për punëtorët mysafirë për shkak të presionit ndërkombëtar? Çfarë mendojnë shtetasit e Katarit për lirinë e shtypit? (Shenjat fillestare nuk janë tejet premtuese.) Si e shohin tifozët e Amerikës së Jugut dhe Azisë këtë Kupë Botërore dhe çështjen e të drejtave të njeriut që është kaq e rëndësishme për Perëndimin? A do të bëjë ekipi i DFB-së një akt për të “përfaqësuar vlerat tona”, siç parlajmëroi Manuel Neuer? A po bën vërtet diçka Emirati me këtë “shans”, siç vlerësoi Bastian Schweinsteiger në një intervistë për DW? Dhe si reagojnë ndaj kritikave të gjitha personazhet publike që i bëjnë reklamë Katarit kundrejt një pagesë të majme, siç është ambasadori i Katarit, David Beckham?
Unë dua të di, të pyes dhe t’i diskutoj të gjitha këto. Me miq, me kolegë, në familje. Të gjitha këto gjëra meritojnë vëmendjen tonë. Dhe kjo është arsyeja pse për mua nuk shtrohet pyetja të mos e ndjek Botërorin./DW