Aktualitet Brataj: 100 persona kërkojnë tamponin në ditë, të rinjtë dhe mosha aktive,...

Brataj: 100 persona kërkojnë tamponin në ditë, të rinjtë dhe mosha aktive, më të prekurit

Rreth 100 persona në ditë i kërkojnë Urgjencës Kombëtarë kryerjen e tamponit për Covid-19. Sipas kreut të Urgjencës, Skënder Brataj dy javët e fundit ka rritje të numrit të thirrjeve drejtuar 127.

“Kemi një rritje të numrit të thirrjeve drejtuar 127, janë afro 2500 thirrje në ditë, ku nga këto 500 janë për probleme nga Covid dhe afro 100 prej tyre kërkojnë kryerjen e tamponit”, tha Brataj për Tv Klan.

Sipas Bratajt, të rinjtë dhe mosha aktive janë më të prekurit nga koronavirusi.

“Janë të rinjtë dhe prindërit e tyre, mosha e tretë janë më të kujdesshëm si në respektim të distancës ashtu edhe të mbajtjes së maskës. Virusi ka qenë këtu, nuk ka ikur, që të themi jemi në valën e dytë”.

Për sa i përket masave kufizuese, ekspertët thonë se në këtë situatë nuk mund të ketë shtrëngim masash apo mbyllje të vendit. Gjithçka pritet të jetë në varësi të ezaurimit të shtretërve në spitale.