Një tjetër tragjedi ditën e sotme në futbollin brazilian, sërish për një aksident ajror, pas Chapecoenses, ekipit që u shua nga një aksident i ndodhur teksa ishin në udhëtim për finalen e Kupës Latinoamerikane.
Viktimat i përkasin ekipit të Palmas Futebol, ekip i kategorisë së katërt braziliane. Sipas dëshmive, avioni pati probleme në fillimin e ngjitjes dhe ra pak sekonda më vonë në një zonë pyjore.
Sipas autoriteteve braziliane, katër lojtarë të ekipit dhe presidenti kanë ndërruar jetë, bashkë me pilotin. Ekipi modest po i drejtohej qytetit të Goianës për ndeshjen kundër Vila Novës për Copa Verde.
Nga të parët që dërguan mesazhe ngushëllimi ishin pikërisht drejtuesit e Chapecoenses, që nënvizuan se “e dimë shumë mirë si ndiheni tani, do të donim që këtë ndjenjë mos ta provonte më askush.
Në aksidentin e nëntorit të vitit 2016, viktimat ishin 71, ndër tyre i gjithë ekipi dhe drejtuesit e Chapecoenses, dhe gazetarët që po i ndiqnin për finalen e tyre historike, që u shndërrua në një nga tragjeditë më të mëdha të futbollit, dhe preku opinionin publik në të gjithë botën.