Sport Braziliani” Jorginho hap zemrën: Si u bëra italian

Braziliani” Jorginho hap zemrën: Si u bëra italian

Jorginho, një nga heronjtë e Italisë në Wembley në një intervistë për një televizion brazilian pas fitimit të trofeut, natyrshëm që është në humor të mirë, e madje edhe i gatshëm të bëjë shaka në lidhje me penalltinë që gaboi duke lënë me frymën pezull gjithë tifozët e Italisë.

“Ishte gjithçka e sajuar, e gabova vetë, pasi e dija që Donnarumma do të priste penalltinë më pas. Pa shaka, unë jap gjithmonë gjithçka për skuadrën, por ndonjëherë nuk mjafton. Gabova penalltinë dhe në atë moment mu duk sikur më ra bota përsipër, pasi doja t’i dhuroja fitoren Italisë. Për fat kemi atë fenomenin në portë që më shpëtoi”.

Italo-braziliani Jorginho, i lindur në Imbituba në Shtetin e Santa Catarina, por me shtetësi italiane që nga 2012-ta pasi ka patur italian një stërgjysh nga babai, shpjegon edhe zgjedhjen e tij për kombëtaren e kaltër.

“Kam luajtur edhe me U-21 për Italinë. Sapo më thërritën, pranova menjëherë. Sinqerisht, e shikoja kombëtaren braziliane si diçka të largët. Jam rritur në Itali dhe Italia më hapi dyert. Sinqerisht, as që e mendova dy herë. Pas impenjimit me U-21 luajta vetëm miqësore me kombëtaren e madhe. Në nëntor të 2017 erdhi dhe grumbullimi për ndeshjen e play-offit për në botëror me Suedinë por në atë periudhë më kishte kërkuar edhe Brazili. Edy Gaspar, ish-koordinator i kombëtares së Brazilit me tha, “Jorge, po mendojmë të të thërrasim, por nuk mund të garantoj asgjë. E di që është e vështirë, flit me familjen”. Gjithçka u komplikua, ishte ëndrra ime e fëmijërisë të luaja me Brazilin, por e ndieja që Italia kishte nevojë për ndihmë, luante atë ndeshje thelbësore me Suedinë, dhe kur unë kisha pasur nevojë për ndihmë Italia më kishte ndihmuar duke me hapur dyert. Nuk më bënte zemra t’i ktheja shpatullat, zemra më tha, Jo, Italia ka nevojë për ty. Ndaj bëra atë zgjedhje dhe sinqerisht jam shumë i kënaqur”.

Falë paraqitjes së tij në Europian, Jorginho është përmendur edhe ndër kandidaturat për të fituar Topin e Artë, një mundësi që e komenton në këtë mënyrë.

“Jetojmë për ëndrrat, por unë do të jem i sinqertë, varet nga kriteret që do të vendosin për dhënien e tij. Nëse flasim për talent, unë e di që nuk jam më i miri në botë, nëse vendoset në bazë të suksesit dhe titujve të fituar, askush s’ka fituar më shumë se unë këtë sezon. Si do të përballem me Messin, Ronaldon apo Neymar? Ata kanë karakteristika krejt ndryshe nga të miat, por e përsëris, gjithçka varet nga kriteret që do të përdorin për dhënien e çmimit”.