Sport Formacioni më i mirë i Euro 2020, gjysma janë italianë, mungon CR7

Formacioni më i mirë i Euro 2020, gjysma janë italianë, mungon CR7

Janë 5 italianë të përfshirë nga UEFA në 11-shen më të mirë të Euro 2020. Ekipi që fitoi titullin ka vendosur numrin më të madh të lojtarëve në formacionin më të mirë të kompeticionit për rreshtimin 4-3-3.

Në portë, sigurisht, qëndron heroi i Wembley-t, Gigio Donnarumma. Në mbrojtje janë Kyle Walker (Angli), Leonardo Bonucci, Harry Maguire (Angli) dhe së fundmi Leonardo Spinazzola, i cili, pavarësisht dëmtimit ka spikatur për lojën e tij në limitet e perfeksionit.

Jorginho komandon në mesfushë, i shoqëruar nga Pierre-Emile Højbjerg (Danimarkë) dhe Pedri (Spanjë).

Në sulm qëndrojnë Federico Chiesa, Romelu Lukaku (Belgjikë) dhe anglezi Raheem Sterling. Ajo që ndoshta bie në sy në formacionin më të mirë të kampionatit europian të përzgjedhur nga UEFA është mungesa e Cristiano Ronaldos, i cili u shpall si golashënuesi më i mirë i Europianit me 5 finalizime.