Rajoni Bregu: Ballkani duhet të jetë prioritet gjeopolitik i BE-së

Bregu: Ballkani duhet të jetë prioritet gjeopolitik i BE-së

Sarajevë – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR), Majlinda Bregu mori pjesë në takimin joformal të Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) në Sarajevë, të mbledhur nga Presidenca Rumune e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), në bashkëpunim me Kryesinë e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Majlinda Bregu, nënvizoi se bashkëpunimi rajonal është një nga arritjet më të mëdha të rajonit, pasi “ka sjellë deri tani dy përfitime kryesore: stabiliteti, ndonëse po kthehet në fjalë të shpërdoruar, është ende një fjalë kyçe për rajonin; dhe po aq të rëndësishme përfitime të ndryshme praktike që pasqyrojnë jetën e përditshme të qytetarëve – si për shembull Zona Rajonale Ekonomike”.

“Megjithatë, ka ende rrugë të gjatë para nesh, shoqëruar nga shumë sfida dhe zgjerimi i bashkëpunimit rajonal në këto kohë pasigurie është më i madh. Nga ana tjetër, përfitimet nga bashkëpunimi rajonal vazhdojnë të gjenerojnë mbështetje pasi 72% e qytetarëve e duan këtë gjë. Prandaj, nevojitet një shtytje e fortë nga të dyja palët për ta bërë këtë një histori suksesi: BB duhet të jetë prioritet gjeopolitik i BE-së dhe nga ana tjetër rajoni duhet të kalojë në përpjekjet për t’u bërë partner cilësor në procesin e zgjerimit. BE ka qenë leva e vetme më e rëndësishme në rajon për të promovuar demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave themelore dhe pakicave“, shtoi Bregu.

Takimi informal gjithashtu trajtoi modalitetet dhe mënyrat për të përshtatur dhe modernizuar mekanizmat e bashkëpunimit rajonal në rajon pasi që është në interes të përbashkët të BE-së dhe rajonit për të avancuar bashkëpunimin brenda Ballkanit dhe midis rajonit dhe BE-së, duke siguruar stabilitet dhe jetë më të mirë për qytetarët e tyre.

Si një grup pune i Këshillit të BE-së, COWEB është përgjegjëse për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e BE me rajonin e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Republikën e Maqedonisë Veriore, Serbinë dhe Kosovën. Grupi merret si me zhvillimin e përgjithshëm politik dhe ekonomik, ashtu edhe me proceset e stabilizimit dhe asocimit dhe bashkëpunimin rajonal.