Londër – Investimet nga BE dhe eksportet e saj në rajon zënë mbi 70% të volumit. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal tha se pavarësisht fjalëve për ndikimin në rritje të ekonomisë ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor, vetëm 3% e eksporteve në 2018 shkuan në Rusi dhe më pak se 0.6% në Kinë. Majlinda Bregu foli sot në Londër në Forumin e Ballkanit Perëndimor të Financial Times: Mundësitë e Investimeve në një rajon me rritje të shpejtë”
“Integrimi evropian ka themele të forta në rajon. Dhe kjo nuk është vetëm për shkak të procesit të zgjerimit. Por, edhe pse anëtarësimi në BE mbetet që është qëllimi përfundimtar i të gjashtë ekonomive, ka ende një punë të madhe dhe të mundimshme për të kryer”, tha Bregu duke shtuar se perspektiva afatgjatë e BE-së është një plus i madh dhe një cilësi unike e rajonit krahasuar me zhvillimet e tjera në tregjet në vijim, pasi ajo ndihmon për të ankoruar reformat e orientuara drejt tregut dhe standardet evropiane.
“Stabiliteti i fortë makroekonomik, vendndodhja strategjike gjeografike, ekonomitë e ndryshme, regjimet e favorshme tatimore dhe kostot e ulëta të punës, të kombinuara me një popullsi të arsimuar mirë, janë atribute të përbashkëta në të gjithë rajonin. Prandaj, për të siguruar konvergjencën e tyre me ekonomitë e përparuara, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërrojnë trajektoren e tyre të zhvillimit nga ajo që nxitet nga akumulimi i kapitalit fizik tek ai i cili bazohet në akumulimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive – qeveritë duhet të mbështeten mbi IHD-të (investimet e huaja) si një mjet kyç për të zhvilluar bazën e aftësive të vendit për një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Për të mbështetur më shumë industri me kapital dhe njohuri, ato duhet të synojnë kompanitë kryesore ndërkombëtare bazuar në potencialin e tyre për të transferuar teknologjinë dhe aftësitë tek punonjësit dhe firmat lokale”.
“Rajoni i BB-së mbetet shumë i brishtë, por ne jemi të sigurt se përmes pajtimit ekonomik ne mund të arrijmë më shumë nga ç’pritet nëse jepet një shans. Por për të qenë më tërheqës për investimet e huaja direkte (IHD), rajoni ka nevojë për një koktej reformash të brendshme reformat e nxitura nga BE dhe bashkëpunimi rajonal”, përfundoi Bregu duke prezantuar klimën e IHD-ve në rajon në Forum.