Beograd – Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është vlerësuar nga European Western Balkans për përkushtimin e tij të vazhdueshëm, për të ardhmen evropiane të rajonit, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjen mes ekonomive të rajonit, përmes realizimit të Roamingu-ut falas në Ballkanin Perëndimor, si dhe për punën e bërë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Faleminderit European Western Balkans që zgjodhët të nderoni RCC me këtë çmim. Jam e kënaqur dhe e emocionuar sepse nuk ndodh çdo ditë që puna, mundi dhe përkushtimi të njihet e vlerësohet kështu. Ne jemi me të vërtetë ballkano-perëndimorë evropianë, një organizatë rajonale që ndihet krenare për arritjen e rezultateve të prekshme për qytetarët tanë. RCC punon në fushën e politikave – çka nuk shihet e nuk perceptohet dot lehtë nga publiku i gjerë. Por, gjithçka që bëjmë ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre një hap më pranë njëri-tjetrit dhe me Evropën. Ndaj krenohemi që kemi një rol të rëndësishëm në mundësimin e Roaming-ut falas në Ballkanin Perëndimor, ndërsa po punojmë edhe për uljen e kostove të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe rajonit tonë. Dhe kjo nuk është pika e vetme në axhendën tonë. Eshtë edhe njohja reciproke e kualifikimeve profesionale dhe akademike në të gjithë rajonin, udhëtimi i lirë për qytetarët brenda Ballkanit Perëndimor vetëm me karta identiteti, janë nismat për mjedisin që kanë krijuar axhendën tonë të gjelbër rajonale, dixhitalizimi i vazhdueshëm, fuqizimi i grave dhe të rinjve për të ndaluar ikjen e trurit jashtë rajonit, etj. Të gjitha këto bëhen në një qasje rajonale, për një rajon më të mirë”- tha Bregu në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Çdo vit, European Western Balkans (EWB) vlerëson individë dhe organizata për kontributin e tyre në integrimin evropian të rajonit. Çmimi u krijua në vitin 2019, me rastin e pesëvjetorit të portalit. Marrësi i parë i çmimit ishte ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, ndërsa për vitin 2020, deputetja e Parlamentit Evropian Tanja Fajon.
Nemanja Todorović Štiplija, kryeredaktor i European Western Balkans tha: “Kjo është hera e parë që çmimi vjetor i EWB i jepet një organizate, përkatësisht Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Ne besojmë se përpjekjet kolektive që RCC ka bërë për evropianizimin dhe integrimin ekonomik të rajonit që nga krijimi i tij në 2008, kanë formësuar në mënyrë të pakthyeshme Ballkanin Perëndimor për mirë. Një nga pikat kryesore të këtij viti ka qenë prezantimi i Roam-Free-Western-Balkans. Së bashku me iniciativat që RCC ka iniciuar gjatë pandemisë COVID-19 dhe punën në drejtim të Tregut të Përbashkët Rajonal, këto aktivitete tregojnë se sa i domosdoshëm është bërë roli i tyre në rajon. Shpresojmë që ky çmim të jetë një kontribut i vogël në motivimin e tyre për të vazhduar punën e tyre të rëndësishme”.
EWB është një portal rajonal i themeluar në vitin 2014 dhe i specializuar në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Ai ndjek gjithashtu temat që lidhen me një të ardhme të përbashkët evropiane të BP, si bashkëpunimi rajonal, stabiliteti politik dhe miratimi i reformave në fusha kyçe.
Gjatë ditës së sotme znj. Bregu do të moderojë panelin e Forumit të Sigurisë të Beogradit me temën “Mbështetja e Ballkanit Perëndimor – Kapërcimi i pengesave për integrimin europian” me shefen e Divizionit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin, Christiane Hullman; Zëvendësdrejtorin në Drejtorinë për Evropën Kontinentale të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sylvain Guiaugue; Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit të Përhershëm të Mbrojtjes Kombëtare dhe Punëve të Jashtme të Greqisë, Tasos Chatzivasileiou; dhe Eksperti i Lartë në Divizionin e Ballkanit Perëndimor të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, Clive Rumbold.