Nga Kliton Nesturi
Fati i një vepre letrare është i pandashëm nga fati i autorit apo autores të saj, ose më saktë i periudhave nëpër të cilat kalon procesi i jetës së tij apo të saj. Janë pikërisht këto periudha ku ndeshen fort errësira dhe drita, zhgënjimi dhe shpresa, dëshpërimi dhe besimi në triumf, ku vdekja dhe jeta përleshen aq fort, sa ndoshta asnjëherë më parë. E rëndësishme për autorin është që vazhdimisht të gjejë dhe të shohë dritën në fund të tunelit, burimin e jetës që vazhdon. E gjitha kjo reflektohet në veprën e shkruar, në ngjarjet dhe personazhet që hyjnë tashmë në fondin e letërsisë, duke dalë prej anonimatit për të rendur në botën e përjetshme të artit. E veçanta e tyre është forma dhe gjuha me të cilën ata vijnë përballen dhe rrinë me ne, lexuesit e tyre.
Të gjitha këto mu ndërmendën ndërsa lexova romanin “Kolonë zanore” të Rezarta Reçit. Shtrirë në një rrafsh horizontal, qysh në krye përballesh me një vepër e cila të fut në botën magjike të dashurisë, duke të futur në një pështjellim të ëmbël. ”Kolonë zanore”, nuk ka një ngjarje të fortë dhe solide nëpër të cilën të shtjellohet vepra, por ajo mbështet mbi tre linja ekzistenciale, ku secili personazh ka ngjarjen dhe identitetin e tij.
Si rrallë në letërsi, nuk kemi një personazh kryesor,rreth së cilit ngrihet dhe pështillet gjithçka, por kemi një grup-ansambël të vogël personazhesh, të cilët janë të gjithë të barabartë në rëndësi dhe peshë, çka i jep veprës më shumë intensitet, larmi dhe forcë , e duka na kujtuar në një mënyrë dramën e Luixhi Pirandelos “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin.”
Jetë që pështjellohen jo thjesht në kufijtë e ekzistencës, por në përpjekjen për të rendur drejt dashurisë, energjisë pozitive dhe identitetit, tre gjërat kryesore mbi të cilat mbështet dhe duhet të mbështetet jeta njerëzore. Duke rendur nëpër ngjarje, befas të kujtohet një varg i famshëm i Brehtit: “Aty ku nuk ka dashuri, fjalën “Jetë” mos e fol”. Brenda në “Kolonë zanore”, nuk shohim vetëm një ngjyrë, fjala bie rozë apo të kuqe (meqë po flasim për dashurinë), por një larmi ngjyrash, të cilat duke u lidhur me mënyrën e përshkrimit, japin tonalitete të ëmbla, dhe pa shumë zhurmë sjellin një triumf të dashurisë mbi ndarjen, të vazhdimësisë mbi vdekjen.
Një nga meritat e Rezarta Reçit në këtë vepër është se ka ditur të ndërtojë me shumë finesë marrëdhëniet dhe kontradiktat e personazheve, duke i dhënë përplasjet e tyre në një rrafsh më shumë të thellë shpirtëror dhe emocional, se sa fizik dhe të dukshëm. Është njëjtë me rrjedhjen e lumit, i cili në sipërfaqe është i qetë, ndërsa në brendësi të tij rrymat dhe shtjellat përplasen fort me njëra-tjetrën. Kjo e bën autoren të dëshmohet si një njohëse e botës së brendshme të personazheve që përshkruan. Në ndërtimin e personazheve spikat një realizëm i admirueshëm, aq sa të duket sikur ata janë vërtetë real dhe jetojnë pranë nesh.
Nëpër faqet e “Kolonës zanore” e vetmja filozofi që shpërfaqet është ajo e dashurisë për jetën. Askush nuk duhet të mendojë se “Kolonë zanore” është një roman “soft”. Përkundrazi, brenda ndërtimit, ngjarjeve dhe gjuhës së personazheve ka aq dramë, sa po ta shohësh thellë, të trondit. Prerjet vertikale që autorja kryen me mjaft finesë në thellësi të personazheve të saj arrijnë të na japin karaktere të spikatura.
Ka shumë dramë në këtë libër. Secili personazh e do ekzistencën sipas mënyrës së tij, por në fund të gjithë i bashkon energjia dhe dashuria. Dhe jeta vazhdon…