Shqiptarët që duan të shkojnë në Britaninë e Madhe po kthehen në një shqetësim për autoritetet në Spanjë dhe Irlandë. Të dielën janë shpërndarë në mediat irlandeze fotot se si shqiptarët fshihen në traget.
Sipas policisë kufitare në portin e Santanderit që në momentin që është hapur lidhja detare me Cork-un në Irlandë janë zbuluar mesatarisht çdo ditë 130 raste trafikimi ilegal në anije.
Ndërkohë në gazetën The Sun në versionin irlandez shkruhet se shumica e personave të kapur janë me origjinë shqiptare.
Javën e kaluar Garda Civile në Spanjë gjeti katër shqiptarë të cilët kishin krijuar një hapësirë mes paletave. Sipas tyre, këto tragete shënjestrohen nga bandat që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.
Qëllimi në vetvete është Britania e Madhe, por duke përdorur rrugët detare nga Spanja në Irlandë. Më tej, policia shprehet se shqiptarët synojnë të kontaktojnë agjencitë britanike sepse atje duan që të marrin azil.