Nëse nuk je nën hetim, i thirrur për të dëshmuar, apo pjesë e drejtësisë, është e vështirë të dish se çfarë ka pas xhamave të një prej godinave më hijerëndë në vend. Bëhet fjalë për zyrat e SPAK-ut.
Të pakta janë pamjet që rrjedhin nga kjo ndërtesë, dhe pse para saj qëndrojnë ditë e natë gazetarë e kameramanë të shumtë. Sot ishte ambasada amerikane në Tiranë që ka shpërndarë disa pamje nga brenda ambienteve të SPAK.
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner është takuar sot me kreun e SPAK Altin Dumani dhe zyrtarë të tjerë teksa ka shpërndarë disa pamje nga vizita.
Ajo që bie menjëherë në sy janë zyrat e mbushura me dosje dhe materiale të ndryshme hetimore. Janë aq shumë, sa për to nuk ka vend. Në disa raste janë të vendosura në dysheme dhe herë-herë mbi raftet që arrijnë deri në tavan.
Po ashtu, Dumani dhe prokurorët e tjerë duket se janë kujdesur që t’i zbukurojnë zyrat e tyre me motive patriotike, simbole kombëtare, ku bie në sy busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.