Britania filloi të zhvendosë sot disa emigrantë, duke i vendosur ata në platforma lundruese në brigjet e saj jugore, si pjesë e planeve për të kursyer fonde, duke u hequr mundësinë e dërgimit nëpër hotele të migrantëve që arrijnë në Britani me varka të vogla.
Kryeministri Rishi Sunak e ka bërë goditjen kundër emigracionit të paligjshëm një përparësi kryesore të qeverisë së tij, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen vitin e ardhshëm. Partia Laburiste e opozitës, momentalisht gëzon një epërsi të fortë në anketat e opinionit.
Në përpjekje për të penguar shtetas të huaj të hyjnë në Britani pa dokumente, qeveria po i zhvendos emigrantët në vende ushtarake të papërdorura, si edhe në ndërtesa lundruese trekatëshe gri, në Portland, ku mund të strehojë rreth 500 njerëz në më shumë se 200 dhoma gjumi.
Vendimi ka ndarë komunitetet lokale, me disa që e cilësojnë kushtet e strehimit për shtetas që vijnë nga vende si Iraku, Irani, Siria, Afganistani, ose Shqipëria, si çnjerëzore.
Të tjerë janë zemëruar nga ndikimi te shërbimet lokale dhe janë të shqetësuar nëse vendet ku do të strehohen migrantët do të bëhen objektiva për protesta.
Një person që ka njohuri për situatën tha se emigrantët e parë kishin filluar të arrinin sot në ndërtesën platformën lundruese, rreth mesditës, ndërsa të tjerë priten të mbërrinin më vonë gjatë ditës.
Më shumë se 50,000 azilkërkues po jetojnë në hotele në Britani pasi bënë pjesën e fundit të udhëtimit të tyre me gomone të vogla nga Franca. Qeveria thotë se hotelet kushtojnë 7.6 milionë dollarë në ditë.
Ministrja e Brendshme, Sarah Dines tha për televizionin ‘Sky News’ se dërgimi i migrantëve në zona ushtarake dërgon një mesazh se Britania do të ofrojë “strehimin e duhur, por jo luksoz” për të ardhurit në mënyrë të paligjshme.