Bota Britania e Madhe dyfishon forcat ushtarake në Europën Lindore

Britania e Madhe dyfishon forcat ushtarake në Europën Lindore

Britania e Madhe i ka bërë thirrje sërish Rusisë që të heqë dorë nga planet për pushtimin e Ukrainës dhe t’i rikthehet negociatave për zgjidhjen e krizës. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri britanik Boris Johnson theksoi se panorama në kufirin e Ukrainës me Rusinë është “gjithnjë e më shqetësuese”, ndaj kërkoi nga Kremlini që të shmangë një pushtim i cili sipas tij do të ishte katastrofik.

“U informova nga shefat tanë të mbrojtjes për situatën në kufirin e Ukrainës. Pamja është gjithnjë e më shqetësuese. Ndaj vazhdoj t’i bëj thirrje Rusisë të përfshihet në negociata dhe të shmangë një pushtim të pamatur dhe katastrofik”, tha Johnson.

Më herët ai kishte bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar po shqyrton mundësinë për dyfishimin e numrit të trupave të saj të dislokuara në Evropën Lindore, si një përpjekje për të rritur presionin ndaj Rusisë.

“Nëse Presidenti Putin zgjedh një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi, do të jetë një tragjedi për Evropën. Ukraina duhet të jetë e lirë të zgjedhë të ardhmen e saj. Kam urdhëruar forcat tona të armatosura të përgatiten për t’u vendosur në të gjithë Evropën javën e ardhshme, duke u siguruar që ne jemi në gjendje të mbështesim aleatët tanë të NATO-s në tokë, në det dhe në ajër.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për BBC mohoi që aleanca të dërgojë trupa në Ukrainë.

“Ne nuk kemi plane për të vendosur trupa ushtarake të NATO-s në Ukrainë… ne jemi duke u fokusuar për t’i ofruar mbështetje”, tha shefi i NATO-s.