Britania e Madhe ka sanksionuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiç si pjesë e masave të saj globale kundër korrupsionit.
Radojçiç, i cili është edhe një biznesmen nga industria e ndërtimit, thuhet se ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’u dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit, shkruan REL.
Gjithashtu, janë sanksionuar Zvonko Veselinoviç dhe Slobodan Teshiç.
“Zvonko Veselinoviç, biznesmen në industrinë e ndërtimit në Kosovë, shfrytëzon kontratat publike për të përvetësuar fondet shtetërore. Slobodan Teshiç, një tregtar i njohur armësh nga Serbia, akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të shtetit të një vendi tjetër”, thuhet ndër të tjera në shpjegim.
Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly njoftoi për masat e ndërmarra si pjesë e një vale të re sanksionesh që synojnë individët e korruptuar dhe ata që shkelin dhe abuzojnë me të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në konflikte.