Politika “Rama e flaku si një limon të shtrydhur”, Berisha komenton njoftimin e...

“Rama e flaku si një limon të shtrydhur”, Berisha komenton njoftimin e Ministrisë së Jashtme për Yuri Kim

Gjatë konferencë së sotme shtyp, lideri PD-së Sali Berisha e ka cilësuar ambasadoren Yuri Kim, të cilës po i përfundon mandati, si “diplomat amerikan që ka dëmtuar më shumë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në 110 vjet”.

Berisha tha se Kim u flak si një limon i shtrydhur nga Edi Rama në fund të mandatit të saj.

“Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur.

Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim. Sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur”.

Sipas ish-kryeministrit, “ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik. I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar. Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit,  këto janë akte të shëmtuara të saj”.

Berisha shtoi se “po mos të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria”.