E ardhmja e Armando Brojës duket se është gjithnjë e më larg Chelsea. Mundësitë e shpërdoruara nga ana e sulmuesit shqiptar po e shtyjnë akoma dhe më shumë 22-vjeçarin drejt një largimi nga kryeqytetit anglez.
Ndikuar edhe nga pozitat jo të favorshme në Premier League, trajneri Mauricio Pochettino duket se nuk do të presë shumë gjatë Brojën, i cili është i destinuar për t’i dhënë lamtumirën ‘Bluve të Londrës’ që këtë muaj.
Një skenar që forcohet akoma dhe më shumë, teksa mediat angleze raportojnë për një interesim të Chelsea për t’u përforcuar në merkato.
Duke iu referuar tabloidit “The Sun”, Chelsea ka hedhur sytë nga Artem Dovbyk. Zbulimi i sezonit në Spanjë, ku ka shënuar gola vendimtar për surprizën Girona.
11 gola dhe pesë asistime deri më tani kanë rritur edhe çmimin e tij në treg. Për kartonin, Chelsea është gati të paguajë deri në 45 milionë Euro, shifër e konsiderueshme për një skuadër si Girona, për të cilin pagoi vetëm 7.7 milionë Euro në arkat e klubit ukrainas Dnipro.
Sa i përket Brojës, e ardhmja konsiderohet sërish në Premier League. Potenciali i sulmuesit shqiptar pëlqehet nga West Ham, që tashmë ka nisur punën për të përpiluar ofertën.
Për 22-vjeçarin, Chelsea kërkon jo më pak se 30 milionë Euro, shifër për të cilën skuadra e West Ham mund të jetë gati për ta paguar vetëm në fund të sezonit.
Broja do të ishte i interesuar për të firmosur që këtë merkato, pasi minutat në këmbë do ta ndihmonin për t’u grumbulluar me kombëtaren shqiptare në Kampionatin Europian që do mbahet mes Qershorit dhe Korrikut të këtij viti.