Histori “Casa cité” (1947): Nga Anton Harapi te Luigj Pici, emrat e fetarëve...

“Casa cité” (1947): Nga Anton Harapi te Luigj Pici, emrat e fetarëve të vrarë dhe të persekutuar në Shqipëri nga regjimi komunist

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“Casa cité” ka botuar, të dielën e 16 shkurtit 1947, në faqen n°4, një shkrim me të dhëna të hollësishme asokohe mbi persekutimet dhe vrasjet fetare në Shqipëri nga regjimi komunist, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Komunizmi shkatërrues, i përpiluar nga doktrina e urrejtjes, mbulon me gjak vendet ku është vendosur

Persekutimi fetar në Shqipëri

Në Shqipëri, persekutimi vazhdon pa pushim ndaj çdo gjëje katolike, njerëz dhe vepra. Prifti i Tiranës u arrestua për fshehje të parave që synonin të siguronin nevojat e priftërinjve në nevojë. Në fakt, qeveria ka ndërprerë të gjitha subvencionet për klerin katolik, ndërkohë që vazhdon të mbështesë komunitetet myslimane dhe ortodokse. At Mehkalla, një jezuit, u burgos sepse kishte mbledhur fonde në favor të viktimave të përmbytjeve të tetorit të kaluar.

Një tjetër jezuit, At Mark Harapi është në burg sepse është vëllai i At Anton Harapit, françeskan, që u pushkatua pak muaj më parë. Prifti Gjon Pantalija, gjithashtu jezuit, u burgos për arsye të panjohura. Imzot Nikollë Deda, nga dioqeza e Sapës, është në burg për shkak të keqardhjes për fatin e vëllait të tij, një ish-kolonel, i cili vdiq në qeli si pasojë e torturave. At Thomas Laca, delegat i kryepeshkopatës së Shkodrës që nga vdekja e kryepeshkopit, u burgos pa ditur arsyen e arrestimit të tij. At Luigj Pici, i cili kishte guxuar të mbronte priftërinjtë Fausti dhe Dajani, të pafajshëm, por të pushkatuar sepse ishin jezuitë, kishte ikur për të shmangur më të keqen, u zbulua dhe u dënua me vdekje.

Komunitetet katolike uniate të Elbasanit dhe të Korçës panë pastorët e tyre Papamihali dhe Trebicka të burgosen. Në Shkodër, tetorin e kaluar, u shuguruan tre priftërinj: disa ditë më vonë, njëri prej tyre u burgos dhe dy të tjerët u detyruan t’u bashkohen Forcave të Armatosura Shqiptare. Motrat Stigmatine të Shkodrës u dëbuan nga shtëpia e tyre. Priftërinjtë duhet të përmbahen nga çdo predikim, nga frika se mos i shohin fjalët e tyre të shtrembërohen dhe të burgosen. Madje, në vende të caktuara, pranë rrëfimtarit vendosej edhe roje, nga frika se mos keqpërdorej politikisht rrëfimi!

Shkurtimisht, rezultatet e këtij persekutimi janë si më poshtë:

– 3 priftërinj  françeskanë të vrarë në befasi gjatë lëvizjes partizane, 2 të tjerë të pushkatuar “ligjërisht” dhe disa në burg;

– 2 priftërinj jezuitë të pushkatuar dhe 5 në burg;

– 4 priftërinj shekullarë të vrarë dhe rreth dhjetë në burg;

– 1 seminarist i vrarë dhe disa në burg;

–  seminare, shkolla të ciklit të ulët të drejtuara nga besimtarë, çerdhe, të mbyllura;

– fetarë e fetare të dëbuar nga institucionet e tyre dhe të privuar nga gjithçka;

–  shtypje e aksionit katolik dhe ndalim i klerit nga ushtrimi i çfarëdolloj veprimtarie jashtë kishave.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania