Sport “Broja është lojtari më i mirë i 15 viteve të fundit, por...

“Broja është lojtari më i mirë i 15 viteve të fundit, por është trajtuar keq”

“Broja, që ndoshta është lojtari ndoshta më i mirë i 15 viteve të fundit, është trajtuar keq”.

Kështu u shpreh Redi Jupi përë A2 CNN, një ditë pas barazimit zhgënjyes 1-1 të kombëtares ndaj Islandës. Sipas tij, ka shumë gjëra që nuk shkojnë aktualisht te ekipi kuqezi.

“Tani nuk funksionon më asgjë. U bënë shumë vite në të cilat, nga kombëtaret e moshave, deri te kombëtarja e parë, ka miqësira dhe qoka. Njerëzit nuk po e kuptojnë më se çfarë po ndodh. Nuk ka pasur ndonjëherë një revoltë kaq të madhe të tifozëve. Ne kemi lojtarë shumë të talentuar, madje edhe më shumë sesa ata që na çuan në Evropian (2016). Problemi është i politikave që janë ndjekur me këta lojtarë.

Broja, që ndoshta është lojtari ndoshta më i mirë i 15 viteve të fundit, është trajtuar keq. Një herë është aktivizuar, një herë jo. E njëjta gjë vlen për Uzunin, Cikalleshin etj. Ka edhe favorizime: luajnë lojtarë që nuk duhet të luajnë. Para Asllanit, që luan me Interin, luajtën të tjerë ditën e djeshme. Janë shumë gjëra që nuk shkojnë dhe tani janë bërë të gjitha bashkë”, tha Jupi.

“Duke mos ndërhyrë, duke i dhënë hakun çdo talenti shqiptar, ne mundet që herë pas here të kualifikohemi në Evropian apo Botëror. Futbolli ka një mekanizëm të çuditshëm që nuk mban nëse ti fut 2-3 lojtarë me hatër. Se pastaj vijmë në pikën që në fund, fajin ia hedhim trajnerit”, shtoi ish-futbollisti i Dinamos dhe kombëtares.

Jupi shpjegoi edhe pse trajneri Edy Reja nuk është i përshtatshëm për ekipin tonë kombëtar: “Reja është një trajner shumë i mirë, me karrierë shumë të mirë. Problemi i Rejas me këtë grup është se ka diskordancë të moshës së tij me atë mesatare të ekipit. Kemi ekip të ri, ndërsa Reja i shikon gjërat sot për sot me moshën që ka”.