Sport Broja gjallëron sulmin e Chelsea-t, shqiptari sqaron “dëmtimin”

Broja gjallëron sulmin e Chelsea-t, shqiptari sqaron “dëmtimin”

Edhe pse ka shpenzuar një shumë marramendëse në dy vitet e fundit, Chelsea ndodhet në një situatë aspak të mirë dhe shpresat e ekipit janë varur tek Armando Broja, sulmuesi shqiptar që ka dalë nga ekipet zinxhir të “Bluve të Londrës”.

Broja u rikthye titullar, mbrëmjen e së hënës, në derbin ndaj Fulham dhe arriti të gjejë menjëherë golin, teksa kishte munguar për gati një vit për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi vitin e kaluar. Sulmuesi i dha tjetër gjallëri sulmit të Chelsea-t, i cili ka qenë deri në këtë periudhë reparti më i dobët i ekipit.

Broja, la fushën e lojës në minutën e 62 dhe në momentin e zëvendësimit përfundoi i shtrirë dhe kërkoi ndihmën e mjekëve. Megjithatë, ai ka folur pas ndeshjes duke thënë se nuk ishte asgjë serioze, por vetëm lodhje për shkak të mungesës së gjatë në fushën e lojës.

“Nuk ishte dëmtim, por lodhje dhe kërkova zëvendësim. Nuk i kam ende 90 minuta në këmbë”, deklaroi Broja.

22-vjeçari shqiptar foli edhe për rikthimin e tij dhe situatën në ekip.

“Është një fitore që na jep një dozë të madhe besimi neve si skuadër, por edhe klubit. Ndryshuam shumë këtë verë, duke ndërtuar një skuadër të re, ndaj edhe është e nevojshme për pak kohë për të njohur njëri-tjetrin. Është gjithmonë e vështirë kur ke futbollistë të rinj dhe staf të ri, por ne jemi duke treguar se tani ndihemi mirë dhe kjo fitore është një karikim me besim për të ardhmen

Është fantastike të shënosh. Si sulmues, unë dua të shënoj gjithmonë, në skena të mëdha dhe në momente të mëdha. Një ndjenjë e pabesueshme të shënosh gol në një derbi. Ishte fantastike të merrnim tri pikët. Unë jam këtu për të luajtur për skuadrën, për të ndihmuar shokët dhe për të shënuar sa herë që të më jepet mundësia.

Fitoret sjellin besim dhe pozitivitet në grupin e futbollistëve, në klub, por edhe në raport me tifozët. Është shumë e rëndësishme të fitosh dhe shpresoj të vazhdojmë në këtë rrugë”.

Ndërkohë, jo vetëm Chelsea i ka shpresat te gjiganti nga Malësia e Madhe. Shqipëria do të luajë një ndeshje tejet të rëndësishme për të siguruar kualifikimin në Kampionatin Europian, më 12 tetor ndaj Çekisë në Air Albania.

Trajneri Sylvinho udhëtoi në Londër një javë më parë dhe mendohet se aty është vendosur nëse sulmuesi do të grumbullohet. Dhe nëse kjo gjë do të ndodhte do të ishte një vlerë e madhe e shtuar për Kombëtaren shqiptare në një sfidë delikate.