Sport Broja nga shiu në breshër, luante më shumë me Çelsin sesa me...

Broja nga shiu në breshër, luante më shumë me Çelsin sesa me Fulhemin: A rrezikon Europianin?

Nëse gjërat mbeten kështu si janë në këtë moment, Armando Broja nuk mund të jetë ‘arma’ e fortë e Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë që të gjithë mendonin. Askush nuk ka dyshim në kualitetin e tij dhe gjasat janë që ai të jetë në listën zyrtare të Silvinjos, por çështja është se sa do t’i vlejë realisht brazilianit në eventin madhor të verës?

Dëmtimi i gjatë ka lënë pasojat e veta te sulmuesi dhe për të kapur formën optimale duhet të luajë rregullisht. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai u huazua nga Çelsi te Fulhemi në merkaton e dimrit. Por, me çfarë po duket, Broja ka shkuar nga shiu në breshër.

Futbollisti 22-vjeçar luante më shumë te Çelsi se tashmë te Fulhemi. Janë vetëm 3 ndeshje, ku Broja është futur në fushë si zëvendësues te Fulhemi dhe në total bëjnë 37 minuta. Shumë pak po të shohësh se me Çelsin, Broja është aktivizuar 6 herë si titullar dhe 7 herë si zëvendësues këtë sezon dhe numëron 453 minuta e 1 gol të shënuar. Në ndeshjen e së shtunës ndaj Brajtonit u aktivizua vetëm 6 minuta në fund.

Të paktën deri tani, kalimi te Fulhemi nuk duket i goditur dhe sulmuesi kuqezi gjendet në një situatë shumë delikate. Ai shpresonte të kishte më shumë hapësirë, që Europiani i qershorit ta gjente plotësisht gati, ndërkohë po ndodh e kundërta. Sigurisht, klubi i Fulhemit ka interesin e vet të parin, skuadra po ecën mirë me titullarët që ka pasur gjatë sezonit dhe lojtari shqiptar është ende ‘mish i huaj’.

Ndoshta Brojën mund ta ndihmojnë miqësoret e marsit me Kilin dhe Suedinë për të dhënë ndonjë shkëndijë. Ai e ka treguar se është një sulmues që i zgjidh ndeshjet individualisht dhe për momentin ka nevojë për ndihmë, që mund t’ia japë fanella kuqezi.

Me Brojën e këtij momenti vështirë që Silvinjo të bëjë llogari. Sulmuesi shqiptar i momentit është Rei Manaj, i cili ashtu si Broja mungoi në kualifikuese. Mund të jenë të dy në listën e Europianit, por nëse do të jetë vetëm njëri, nuk është çudi që vendi t’i takojë Manajt.