Aktualitet “Mbreti shqiptar i kokainës”, kush është Klodian Çopja, i dënuari i parë...

“Mbreti shqiptar i kokainës”, kush është Klodian Çopja, i dënuari i parë që u transferua nga Britania

Klodian Çopja, i cilësuar si mbreti i drogës, është i dënuari i parë që është transferuar në Shqipëri, për të shlyer dënimin e dhënë nga drejtësia britanike. Sipas The Sun, transferimi i Çopjas, është bërë disa ditë më parë, ndërkohë që ai ka një dënim me 17 vite burg për të shlyer.

36-vjeçari shqiptar u burgos në vitin 2017, pasi policia shkatërroi një rrjet trafikimi kokaine që kishte pushtuar juglindjen e Londrës.

Çopja kaloi katër vjet në arrati para se të kapej në kufirin Greqi – Shqipëri me një pasaportë false dhe të ekstradohej në Britani për t’u gjykuar.

Sipas mediave britanike, Çopja, rekrutonte shoferë rumunë, për të transferuar ngarkesat, në një pikë takimi në Kent, ku më pas lënda narkotike dërgohej në vende të fshehta me automjete të vogla.

Më pas, drogën e merrnin shpërndarës nga banda kriminale përreth Londrës dhe juglindjes. Policia nuk arriti kurrë të gjejë paratë e dala nga tregtia e drogës së Çopjes. Detektivët e dinë se të gjitha paratë shkuan në Shqipëri, por atje, gjurmët humbin.

Burime të Drejtorisë së Burgjeve Shqiptare konfirmuan se transferimi i tij u bë pak javë më pare, ndërkohë që në total pritet të vijnë në Shqipëri rreth 200 të dënuar.

Sistemi i burgjeve në Britaninë e Madhe është i tejmbushur, ndërkohë që shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të të dënuarve të huaj, që gjenden pas hekurave.