Kursi i këmbimit euro-lek nuk do të kthehet më në nivelin e mëparshëm. Ky është parashikimi i Bankës së Shqipërisë, referuar kursit 1.20-1.30 euro/lek.
Në një prezantim për median, kreu i Departamentit të Mbikëqyrjes në BSH, Deniz Deralla u shpreh se ky është trendi i ri i kursit.
“Volumi i monedhës europiane është gjithmonë në rritje dhe nëse rritja ndodh po me këtë madhësi, kursi nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Nuk besojmë se do të kthehemi sërish në ato nivele. Ky është ekuilibër i ri”, tha Deralla.
Në të njëjtin raport, Deralla tregoi se rritja e kredive të këqija gjatë muajve të fundit ka ndodhur po për shkak të kursit të këmbimit, i cili ka zhvlerësuar portofolin total të kredisë duke rritur përqindjen e kredive të këqija, por vetëm si raport. Në praktikë, shtoi kreu Mbikëqyrjes, kreditë e këqija kanë shënuar rënie.
Gjithsesi, ai shtoi se kërkesat e bankave për kreditë me probleme janë shtuar, që më vonë do të çojnë dhe në rritjen e provigjionit për këto banka.
Në takim u fol edhe për treguesin e Ekuivalencës së Mbikëqyrjes, që bëhet nga BE, për bashkëpunimin e institucioneve me vendet që synojnë aderimin, ku Shqipëria nuk është certifikuar ende sepse vazhdon të jetë në Listën Gri të pastrimit të parave.