Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare do të ketë një rritje ekonomike të reduktuar deri në 0.6% për shkak të goditjes që tërmeti i 26 Nëntorit. Në analizën e Raportit të Politikës Monetare, evidentohen dy faktorë kryesorë që do të ndikojnë në këtë reduktim: ngadalësimi i sektorit të turizmit dhe rënia e shpenzimeve të konsumatorëve.
Një tjetër risk që evidentohet është edhe ai i sektorit financiar, ku mund të ketë një rritje të interesit të bonove të thesarit, të cilat mund të shtrenjtojnë borxhin e qeverisë dhe interesat e kredive për konsumatorin.
“Deri tani, në treg nuk është evidentuar ndonjë ndikim i prekshëm si pasojë e tërmetit, por goditje të kësaj natyre mund të manifestohen në treg në tre drejtime kryesore: luhatshmëri e normave të interesit, luhatje më tregun valutor dhe në ecurinë e kreditimit.”
Nëse do të ketë goditje më të mëdha se parashikimi në rritjen ekonomike, vonesa në zbatimin e programit të rindërtimit, ose një buxhet më i madh për financimin e këtij programi me para publike, Banka Qendrore lajmëron ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit të Lekut.
“Adresimi i këtyre rreziqeve mbetet atribut i strukturave të qeverisjes qendrore dhe vendore, por materializimi i tyre do të kërkonte një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare”.
Norma bazë e interesit të lekut është në minimumin historik prej 1%, çka ka bërë që edhe interesi i depozitave të jetë mjaft i ulët, duke ulur mundësinë e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë me këtë instrument në periudha goditjesh si ajo e tërmetit.