Përfundoi pas rreth 2 orë e gjysmë protesta e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Tubimi u zhvillua përgjithësisht i qetë, ndërsa vetëm në disa momente pati tension mes protestuesve si dhe u hodhën edhe kapsolla.
Regjisori Edmond Budina, në fjalën e tij gjatë protestës së sotme për Teatrin Kombëtar e cilësoi shembjen e tij si diçka të “tmerrshme”, ndërsa ka sjellw disa simbolika.
“Në 1945 u themelua Teatri Popullor dhe në 17 maj, mafia në bashkëpunim me pushtetin e shembën. E kuptoni se si veprojnë edhe me simbolikat, për të na ulur kokën, për të treguar se qytetaria ka vdekur. Ne kemi 2 vjet e 7 muaj këtu dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu për të mbrojtur pronën publike. Ata që deshën t’i bënin varrin Teatrit Kombëtar do të kenë në këtë teatër varrin e tyre politik”, tha Budina.
“Duhet kudo mosbindje civile, të gjithë bashkë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen me këto kauza njerëzore. Kërkojmë largimin e menjëhershëm të kryetarit të bashkisë sepse krimi kundrejt kulturës është një nga krimet më të mëdha të njerëzimit. Ne do ta rindërtojmë Teatrin Kombëtar ashtu siç ishte, me ndihmën e Evropës dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Të mos i ndalim protestat”, shtoi Budina.
Në fund, regjisori Robert Budina njoftoi se protesta e radhës do të mbahet të mërkurën.
“Meqë nesër është një natë e madhe për komunitetin mysliman shihemi të mërkurën në orën 17:30. Rroftë Shqipëria”, tha Budina.