Gianliugi Buffon në një intervistë të dhënë për Eurosport, ka folur për dy shokët e tij të skuadrës, Neymar dhe Kylian Mbappe.
Italiani nuk ka nguruar të thurë një sërë komplimentash ndaj dyshes së sulmit tek PSG, madje ai shprehet se si Neymar ashtu Mbappe i kanë të gjitha mundësitë për të fituar Topin e Artë në një të ardhme jo dhe aq të largët.
“Me Neymar flas shpesh dhe i them që si ka mundësi që je 26-vjeç dhe ende nuk ke fituar asnjë Top të Artë. Gjithashtu i kam thënë se në pesë vitet e ardhshme duhet të fitosh tre ti dhe dy Mbappe. Pasi jam plotësisht i bindur se i ka të gjitha mundësitë për ta arritur diçka të tillë. Neymar ka teknikë, talent dhe klas.”
Ish-gardiani i Juventusit deklaroi se pas epokës Messi-Ronaldo do të jetë pikërisht dyshja e PSG që do ta monopolizojë trofeun e Topit të Artë.
“Mbappen e njohim të gjithë. Është 20-vjeç dhe ka të gjithë botën në duart e tij. Nëse ai vendos dhe i thotë vetes se dua të fitoj Topin e Artë brenda 10 viteve është e sigurt që do ta bëjë një gjë të tillë. Çdo gjë varet nga vetë ai.”