Në fund të janarit mbush 44 vjeç, por për të varur “këpucët në gozhdë” as që do t’ia dijë. Gianluigi Buffon, portieri i Parmës, sheh në horizonte të reja, gati për një tjetër sfidë në anën tjetër të botës.
“Do të më pëlqente të luaja në Meksikë, ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – ka thënë portieri legjendar italian. I pyetur për sekretin e jetëgjatësisë sportive, ai është përgjigjur: “Ndoshta fakti që nuk kam fituar ende Ligën e Kampionëve mban gjallë agonizmin tim”.
Buffon më parë ka pasur oferta nga Amerika, por zgjodhi të shkonte në Paris, në kërkim të trofeut të Championsit.
“Nëse do ta kisha fituar, – ka thënë Buffon për “TUDN”, kanal amerikan në gjuhën spanjolle, – do të isha tërhequr, sepse nuk do të kisha më asnjë objektiv për të arritur”. E vështirë ta bëjë këtë gjë me Parmën, apo duke u transferuar në Meksikë.
Portieri ka folur edhe për Juventusin, duke prekur krizën bardhezi: “Kur u ktheva nga PSG-ja, kam kaluar dy sezone bashkë me Cristiano Ronaldon. Kemi punuar shumë mirë bashkë, por besoj se Juventusi kishte humbur ADN-në e skuadrës. Në 2017-ën shkuam deri në finale, sepse grupi ishte i fortë dhe i bashkuar”.